Nga Gazeta “SI”– Muzika elektronike, ajo klasike, eventet e modës apo edhe të kulinarisë, janë vetëm disa nga aktivitetet e javës italiane të kulturës e cila u prezantua sot në ambientet e jashtme të Ambasadës Italiane në Tiranë.
Ambasadori italian, Marco Alberti, në praninë e Zv Ministres së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Lira Pipa, drejtoreshës së ICE Tirana, Francesca Mondello dhe drejtorit të Institutit Italian të Kulturës , Alessandro Ruggera, prezantoi programin e bazuar në tre koncepte, E ardhmja, Bashkëpunimi dhe Ndërveprimi.
Shqipëria, “tokë pjellore”.
Marco Alberti i cili prej pak muajsh ka marrë detyrën si ambasador i Italisë në vendin tonë , tha për GazetaSi.al se e njihte pak Shqipërinë dhe fakti që ndodhej këtu, ishte një mundësi e mirë për ta njohur dhe më shumë.
“E njihja pak kulturën shqiptare. Jam këtu për ta njohur. Më duket një ambient kulturor shumë pjellor. Ka një thellësi kulturore dhe krijuese të cilën kam dëshirë ta njoh dhe të bashkëpunojmë. Jam këtu prej tre muajsh dhe e njoh shumë pak vendin tuaj” .
Ai theksoi se duke bërë gjërat e duhura, kemi bërë gjithashtu dhe gjëra të mëdha për një bashkëveprim sa më të madh mes Italisë dhe Shqipërisë.

“Gjërat e mëdha që mund të bëjmë janë gjërat e duhura për të forcuar miqësinë e vendeve tona. Më së shumti në sensin inovativ dhe të rritjes së përbashkët. Kultura duhet të jetë një instrument me të cilin krijojmë dhe ndërmarrin hapa të përbashkët. Dhe jo vetëm në fushën e spektaklit dhe argëtimit . Kultura është një platformë e madhe e cila mund të krijojë dhe mundësi punësimi. Ky është objektivi. Të ketë dhe një siguri ndërkombëtarë” tha Alberti.
Në fund ai shtoi se dy vendet tona, e kanë të lehtë bashkëpunimin pasi i përkasin së njëjtës gjenezë.
“Për Italinë është më e lehtë në Shqipëri, sepse kemi një edhe një kod gjenetik të përbashkët. Ne po mendojmë për shumë politika kulturore por dhe bashkëpunimi në fusha të tjera të cilat do ti vëmë në jetë në muajt në vazhdim” përfundoi ambasadori italian në Tiranë.
Muzikë, modë, kulinari dhe filma, programi i javës italianë i mbështetur mbi tre koncepte.
Ambasadori Alberti mes tjerash u fokusua në tre koncepte mbi të cilat sipas tij është menduar bashkëpunimi kulturor mes Shqipërisë dhe vendit të tij, Italisë.
“Do të prezantojmë një program të ndërtuar mbi tri fjalë kyçe: e ardhmja, bashkëpunimi dhe ndërveprimi. Jemi plotësisht të vetëdijshëm për lidhjet e ngushta miqësore që na bashkojnë, dhe besojmë se çdo hap drejt së ardhmes duhet të ndërtohet mbi këtë miqësi. Së dyti në kuadër të bashkëpunimit, ne nuk jemi këtu thjesht për të promovuar Italinë në Shqipëri, por për të promovuar Italinë së bashku me Shqipërinë si partnerë të barabartë dhe miq afatgjatë.
Së treti, ky program mbështetet në një ndërveprim të domosdoshëm dhe të vazhdueshëm mes institucioneve tona, italiane dhe shqiptare, të cilat punojnë krah për krah për projekte me ndikim të ndërsjellë” deklaroi ambasadori.

Përgjatë një javë, artistë italianë por dhe shqiptarë si Ermal Meta, pianisti Giovanni Betolazzi, trupa teatrore e Sardegnas , apo edhe stilistë të rinj italianë, do performojnë në të gjithë Shqipërinë që nga Shkodra, Tirana, Berati, Vlora dhe Saranda.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.