Nga Gazeta “SI”– Nga data 17 deri më 31 maj, Shqipëria do të kthehet në një skenë të gjallë artistike falë edicionit të radhës të Javës Kulturore të Evropës.
Me moton “Hapësirë për Krijim”, më shumë se një festë e zakonshme, ky edicion i vitit 2025 synon të krijojë hapësira të reja për artin dhe mendimin kritik në nëntë qytete të vendit, përmes më shumë se 30 aktiviteteve kulturore që variojnë nga performanca teatrale dhe koncerte, te ekspozita dhe art bashkëkohor.
Këtë vit, programi është bashkëkrijuar me 11 artistë dhe grupe artistësh që sfidojnë temat e identitetit, kujtesës, lirisë, dashurisë dhe përkatësisë. Janë tema të ndjeshme dhe të domosdoshme, që përthyhen në mediume të ndryshme si teatër, muzikë, kërcim, arte pamore, dhe film për të ofruar një përvojë sa intime aq edhe kolektive.
Nga Tirana në Kamëz, nga Shkodra në Pilur të Himarës, qytetet do të presin një mozaik ngjarjesh që nxisin reflektim dhe përfshirje. Vetëm një thirrje e hapur për pjesëmarrje solli mbi 200 aplikime, por në fund, vetëm njëmbëdhjetë projekte u përzgjodhën për të qenë pjesë e programit zyrtar. Mes tyre:
“Kanga eme” nga ATA, Elsa Demo dhe Klodian Gjonpalaj
“Shoqëria Post-Gjuhësore” nga BERK

“Dashuria është e njëjtë” nga Blerta Kambo
“Gjuha mëmë” nga Ema Andrea, Aida Talliente dhe Elvira Boncuore
“Dialogë në tinguj” nga Musica Nova, Harlen Nikolli e Mikaela Minga
Filmi “Vëndçe” nga Lorin Terezi
“Rrethi i Tingujve” nga Mardit B. Lleshi një përvojë akustike në formë rrethore;
Ekspozitat “Pikënisje të paqarta” nga Olsi Hoxha dhe “Kah shkojnë dallëndyshet?” nga Redina Qose;
Koncerti eksperimental “JALBOZ” nga Rona Nishliu dhe Gent Rushi;

Si dhe dansi bashkëkohor “Mes hapave dhe hijeve”
Veprimtaritë do të shoqërohen edhe me sesione diskutimi, bashkëbisedime me artistët dhe panele mbi ndikimin e artit në shoqëri.
“Java e Evropës 2025” është një ftesë për të rikrijuar marrëdhënien tonë me kulturën dhe me njëri-tjetrin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.