Kinema

Japonia refuzon “Oppenheimer”, filmi flet për shpikjen e bombës atomike që u përdor në Hiroshimë

Filmi i fundit i regjisorit amerikan Christopher Nolan,”Oppenheimer”, po bën xhiron e kinemave në mbarë botën, me përjashtim të Japonisë.

Distributori i filmit në vendin ishull, Toho-Tova, ende nuk ka shpallur datën e publikimit të filmit, i cili ka të bëjë me krijimin e bombës atomike gjatë Luftës së Dytë Botërore nga shkencëtari J. Robert Oppenheimer që u përdor për të shkatërruar Hiroshimën dhe Nagasakin në gusht të vitit 1945.

Shumica e vizitorëve japonezë në Parkun Përkujtimor të Paqes thanë se nuk kishin dëgjuar për filmin, i cili nuk është reklamuar shumë në Japoni, pasi ngjall shumë debat.

Por nga ana tjetër, ka dhe nga ata që thanë se do të shihnin “Oppenheimer”, megjithëse disa shprehën rezerva se si mund të ndiheshin ata që u ndikuan drejtpërdrejt nga bombardimet për të.

“Oppenheimer” sjell historinë e J. Robert Oppenheimer, shkencëtari që drejtoi “Projektin Manhattan”, nisma kërkimore dhe zhvilluese që çoi në prodhimin e armëve të para bërthamore, gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Projekti u drejtua nga SHBA, me mbështetjen e Kanadasë dhe Mbretërisë së Bashkuar. Ai krijoi bombën atomike, e cila u hodh në Hiroshima dhe Nagasaki, duke shkaktuar rreth 220 mijë viktima.

Viktimat u llogaritën pas bombardimit por edhe ato të shkaktuara nga pasojat që la rrezatimi dhe ekspozimi ndaj uraniumit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë