Lajme

Jaht i braktisur pranë Shëngjinit, mister fati i biznesmenit turk

Një jaht luksoz me flamurin turk është gjetur i braktisur në det të hapur dhe me motorët e fikur për shkak të mbarimit të karburantit rreth 16 kilometra larg portit të Shëngjinit.

Dyshimet e para se në mjetin lundrues nuk kishte njeri i kanë hedhur një grup peshkatarësh të zonës që kishin dalë në det për të peshkuar me varkën e tyre.

Ata kanë njoftuar menjëherë policinë, e cila pasi ka konstatuar se brenda tij nuk kishte persona dhe ka nisur kontrollet për të gjetur ndonjë gjurmë që të çon tek pronari i jahtit. Policia ka gjetur dokumentacionin e rregullt dhe një pasaportë me emrin e Sevgin Yavuz, shtetas turk 53-vjeçar dhe biznesmen i njohur në vendin e tij.

Policia ka njoftuar menjëherë autoritetet e vendeve fqinjë dhe ato turke. Mësohet se pas marrjes së përgjigjeve dhe verifikimit të vulave në dokumentacionin e jahtit, Yavuz ka qëndruar për disa ditë në Mal të Zi, në portin e Tivarit, ndërsa në drejtim të Shqipërisë mendohet se është nisur nga Italia.

Autoritetet shqiptare kanë nisur hetimet për zhdukjen misterioze të 53-vjeçarit dhe dyshimet e para janë se ai mund të ketë rënë pre e një grabitjeje nga persona të panjohur në det të hapur, ose është mbytur aksidentalisht.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë