Edhe pak orë na ndajnë nga ngritja e perdes së Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit ku në mbrëmjen Gala të inaugurimit do të jenë edhe dy kolosët e skenës operistike botërore, Ermonela Jaho e Placido Domingo.
Jaho dhe Domingo janë shprehur shumë entuziastë që do të marrin pjesë në këtë ceremoni speciale.
Dy yjet botërorë përveç mbrëmjes së sotme gala në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit kanë pasur deri më sot bashkëpunime të mëhershme duke elektrizuar skenat botërore dhe duke korrur suksese operistike.
Më 3 gusht të vitit 2016, sopranoja Ermonela Jaho korri një sukses operistik në karrierën e saj, duke u shfaqur krah Placido Domingos në “Coregie D’Orange” në skenën e teatrit antik të Francës.
Në Festivalin e përvitshëm në Francë, sopranoja shqiptare Ermonela Jaho interpretoi “La Traviata” në krah të tenorit spanjoll, Placido Domingo.
Për rreth dy orë, interpretimi i Jahos në rolin e Violetës do të ngjallte emocione të jashtëzakonshme tek publiku.
Ndërkohë, mbrëmja e 11 janarit të vitit 2017, e gjeti sërish me të njëjtin partner në skenë, por këtë herë në Operën Mbretërore të Omanit në Azinë Jug-Perëndimore.
Pas Omanit në Lindjen e Mesme, “Traviata” dhe Ermonela në rolin e Violetës do të udhëtonin drejt Australisë, për të interpretuar në fillim të shkurtit për herë të parë në operën e Sidnejt.
Tenori i njohur Plácido Domingo dhe sopranoja shqiptare Ermonela Jaho sërish do të magjepsnin publikun e Festivalit Castell de Peralada (Girona) në Spanjë, më 30 korrik 2018 me operën me intensitet të fuqishëm emocional, ‘Thais’ nga Jules Massenet.
Më këtë vepër operistike, artistët me famë botërore kanë magjepsur publikun e atjeshëm me zërat e tyre të fuqishëm, përcjellë nga kori i Teatrit Real të Madridit. Jaho ra në sy me fustanin e saj elegant të kuq, në mes artistëve të tjerë me veshje të zeza.
Ermonela Jaho dhe Placido Domingo bashkuan sërish forcat në vitin 2018 në Pekin.
Sopranoja Ermonela Jaho u ngjit në skenën e Qendrës Kombëtare të Arteve në Pekin në rolin e Thaïs, personazhit kryesor të operës me të njëjtin titull në krah baritonit Placido Domingo.
Ngjarjet zhvilloheshin në Egjiptin bizantin të shekullit të IV para erës sonë. Murgu Athanael që jeton në Aleksandri, përpiqet të konvertojë kurtizanen e quajtur Thais në krishterim, por zbulon mëkatin trupor dhe e gjen veten të nënshtruar ndaj hijeshisë së saj.
“Thaïs është shumë ndryshe, është një vepër më elegante. Ndihem shumë mirë, por përsëri është një sfidë, sepse pavarësisht se i këndon operat me qindra herë, çdo ditë ka gjëra për të zbuluar”, do të shprehej Jaho për këtë vepër operistike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)


