Libra

Jack Hirschman, poeti revolucionar i kundërkulturës amerikane

Ai ishte një revolucionar i poezisë. Një akademik i destinuar për të arritur majat e universiteteve amerikane, por që vendosi të braktisë gjithçka dhe të bëjë një jetë proletare në emër të idealit të Karl Marksit për drejtësinë shoqërore.

Jack Hirschman, një studiues dhe përkthyes në nëntë gjuhë, vdiq në moshën 87-vjeçare në shtëpinë e tij në Union Street në San Francisko. Ai ishte një nga protagonistët më të veçantë të kundërkulturës amerikane. Njoftimi për ndarjen e tij nga jeta e dha gruaja e tij e dytë, poetja dhe piktorja anglo-suedeze Agneta Falk, e martuar në 1999.

Hirschman ka pasur një karrierë në redaktim që zgjati më shumë se 50 vjet, me asete mbi 100 vëllime, gjysma e të cilave ishin përkthime; ai gjithashtu ishte bërë i njohur si një aktivist politik për të varfrit dhe të margjinalizuarit. “Gjëja më e rëndësishme si poet është se kam punuar për lëvizjen komuniste për 45 vjet dhe klasën e re të të varfërve dhe të pastrehëve”, do të shprehej ai në një intervistë të vitit 2018.

I lindur në Nju Jork, në lagjen Bronx, më 13 dhjetor 1933, ai filloi karrierën e tij në vitin 1961 si profesor i letërsisë angleze në Universitetin e Kalifornisë në Los Anxhelos, duke pasur midis studentëve të tij Gary Gach, Steven Kesslerm, Max Schëartz dhe Jim Morrison. Në vitin 1966 ai u pushua nga puna sepse promovoi një sërë protestash dhe demonstratash kundër luftës në Vietnam, aktivitete të përcaktuara si “kundër shtetit”: një nga këto ishte dhënia e “A”, domethënë notat më të larta, për të gjithë studentët për të shmangur regjistrimin.

Duke përqafuar ideologjinë marksiste, në 1980 ai u bashkua me Partinë e Punës Komuniste dhe punoi si aktivist kulturor me një grup poetësh përfshirë Luis Rodriguez, Michael Warr, Kimiko Hahn, Sarah Menefee, Bruno Gullì, deri në shpërbërjen vullnetare të grupit në 1992. Në 1994 ai u bë anëtar i Lidhjes së Revolucionarëve për një Amerikë të Re dhe kontribuoi në gazetën e saj “Peoplès Tribune”. Gjatë viteve 1980 ai drejtoi “Compages”, një revistë ndërkombëtare e përkthimit të poezisë revolucionare. Ai ishte themeluesi i Lëvizjes Botërore të Poezisë dhe Brigadës së Poetëve Revolucionarë.

Në 1972 Hirschman fillon të shkruajë poezitë e gjata që ai i quan Arcanes, të përshkruara si transformim dialektik materialist i asaj që shpesh është alkimike ose mistike.

Jack Hirschman ka qenë në kontakt që nga mesi i viteve pesëdhjetë me poetët e Beat Generation (me të cilët ndonjëherë ishte lidhur) nga të cilët, megjithatë, ai ndryshon menjëherë pikërisht për pozicionet e tij politike.

Në punën e tij intensive si përkthyes ai ka punuar në autorë të tillë si Mayakovsky, Roque Dalton, Pier Paolo Pasolini, Rocco Scotellaro, Paul Laraque, Paul Celan, Martin Heidegger, Pablo Neruda, René Char, Stéphane Mallarmé.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë