Është faqja e parë më e famshme në historinë e gazetarisë. Titulli i saj me një fjalë – “J’accuse!” – është ndoshta edhe më i njohur. Më 13 janar 1898, gazeta franceze “L’Aurore” botoi të jashtëzakonshmen letër të hapur të Emile Zolasë adresuar presidentit Felix Faure mbi çështjen Dreyfus, një parodi e drejtësisë në të cilën një kapiten i pafajshëm në ushtrinë franceze, Alfred Dreyfus, ishte dënuar për tradhti i dënuar me izolim të përjetshëm në Ishullin e Djallit, një koloni penale e ashpër në brigjet e Amerikës së Jugut.
Zola ishte atëherë shkrimtari më i famshëm në Francë dhe eseja e tij e pasionuar që mbronte Dreyfus dhe akuzonte gjykatën ushtarake dhe qeverinë franceze për një mbulim të çështjes, elektrizoi kombin dhe bëri jehonë në të gjithë botën.
Çështja Dreyfus filloi me zbulimin e një letre që ofronte shitjen e sekreteve ushtarake franceze gjermanëve. Pas një hetimi të pahijshëm, shefi i inteligjencës ushtarake, një antisemit i hapur, e drejtoi me gisht Dreyfus, i vetmi hebre në Shtabin e Përgjithshëm të ushtrisë. Në të vërtetë, Dreyfus ishte një atdhetar i flaktë francez, ambicia djaloshare e të cilit ishte shërbimi ndaj vendit me uniformë. Një gjykatë e fshehtë ushtarake e dënoi Dreyfus-in mbi bazën e një dosjeje të falsifikuar dhe në një “zhgradim” publik poshtërues në Ecole Militaire, atij iu hoq dekorimi dhe iu thye shpata. Ndërsa Dreyfus protestonte me zë të lartë mbi pafajësinë e tij, historiani Paul Johnson shkruan, “një turmë e madhe dhe e ngazëllyer … po fillonte të bërtiste, “Vdekje Dreyfus! Vdekje Hebrenjve!”

***
Zotëri,
A do të më lejoni, mirënjohës siç jam për pritjen e mirë që më keni bërë dikur, t’ju tregoj shqetësimin tim në ruajtjen e prestigjit tuaj të merituar dhe të theksoj se ylli juaj i cili, deri më tani, ka shkëlqyer aq shumë, rrezikon të errësohet nga njollat më të turpshme dhe të pashlyeshme?
I padëmtuar nga shpifja e poshtër, ju keni fituar zemrat e të gjithëve. Jeni rrezatues në lavdinë patriotike të aleancës së vendit tonë me Rusinë, jeni gati të kryesoni triumfin solemn të Panairit tonë Botëror, xhevahiri që kurorëzon këtë shekull të madh të punës, të vërtetës dhe lirisë. Por çfarë fëlliqësie ka hedhur mbi emrin tuaj kjo çështje e mjerë Dreyfus – unë doja të them ‘mbretëron’. Një gjykatë ushtarake, nën urdhra, sapo ka guxuar të shfajësojë një farë Esterhazy, një fyerje supreme për të gjithë të vërtetën dhe drejtësinë. Dhe tani imazhi i Francës dëmtohet nga kjo ndyrësi dhe historia do të regjistrojë se ndodhi nën presidencën tuaj, që u krye ky krim kundër shoqërisë.
Ashtu siç kanë guxuar, edhe unë do të guxoj. Guxoj të them të vërtetën, siç jam zotuar ta them, plotësisht, pasi kanalet normale të drejtësisë nuk kanë arritur ta bëjnë këtë. Detyra ime është të flas; Unë nuk dëshiroj të jem bashkëpunëtor në këtë tradhti. Përndryshe netët e mia do të përndiqeshin nga spektri i njeriut të pafajshëm, shumë larg, duke vuajtur torturat më të tmerrshme për një krim që nuk e bëri.
Dhe është për ju, Zotëri, që unë do ta shpall këtë të vërtetë, me gjithë forcën e lindur nga neveritja e një njeriu të ndershëm. Duke e ditur integritetin tuaj, jam i bindur që ju nuk e dini të vërtetën. Po kujt nëse jo për ju, magjistratit të parë të vendit, duhet t’ia zbuloj poshtërsinë e ulët të palëve të vërteta fajtore?
****
Kështu i drejtohej shkrimtari i madh presidentit francez Faure, në letrën e hapur.
Brenda disa muajsh një shef i ri i inteligjencës kishte identifikuar keqbërësin e vërtetë, major Ferdinand Walsin-Esterhazy. Mbështetësit e Dreyfus – Dreyfusardët – kërkuan që çështja të rihapet, por oficerët e rangut të lartë, të vendosur për të mbrojtur ushtrinë nga turpërimet, komplotuan për të mbrojtur tradhtarin. Në një gjykatë të rreme ushtarake, Esterhazy u shpall i pafajshëm. Ishte në përgjigje të asaj parodie të dytë që Zola shkroi “J’accuse!”
****
Si mund të priste dikush që një gjykatë ushtarake të zhbëjë atë që kishte bërë një tjetër gjykatë ushtarake?
Unë madje nuk po flas për mënyrën se si u zgjodhën gjyqtarët. A nuk e zvogëlon vetë ideja kryesore e disiplinës, e cila është gjaku i këtyre ushtarëve, aftësinë e tyre për drejtësi? Disiplinë do të thotë bindje. Kur Ministri i Luftës, komandanti i përgjithshëm, shpall, në publik dhe për thirrjen e përfaqësuesve të kombit, autoritetin absolut të një vendimi të mëparshëm, si mund të presësh që një gjykatë ushtarake të vendosë kundër tij? Është një pamundësi hierarkike. Gjenerali Billot i drejtoi gjykatësit në vërejtjet e tij paraprake dhe ata vazhduan gjykimin sikur do të luftonin, pa vënë në diskutim. Opinioni i paramenduar që ata sollën në stolin e akuzës ishte padyshim si më poshtë: “Dreyfus u shpall fajtor për krimin e tradhtisë nga një gjykatë ushtarake; prandaj ai është fajtor dhe ne, një gjykatë ushtarake, nuk mund ta shpallim atë të pafajshëm. Nga ana tjetër, ne e dimë se pranimi i fajit të Esterhazy do të ishte e barabartë me shpalljen e Dreyfus të pafajshëm. “Nuk kishte asnjë mënyrë që ata t’i shpëtonin këtij arsyetimi”.
***
E gjithë kjo u luajt kundër një vale histerie antisemitike, shumica e saj e nxitur nga shtypi. Ndër artikujt më tronditës janë posterët, titujt kryesorë dhe karikaturat që përshkruajnë hebrenjtë si gjarpërinj, parazitë dhe mashtrues hundëçengelë, një racë e ndyrë nga e cila duhej pastruar Franca. Një poster gjigant i nxit votuesit të mbështesin Adolphe Willette, duke bërë fushatë të patundur për zyrën komunale si “Kandidat Antisemit”. Çështja Dreyfus nisi valën e parë të madhe të antisemitizmit politik modern, një pararendës i terrorit nazist që do të gllabëronte Europën disa dekada më vonë.
Artikulli i Zolasë mobilizoi Dreyfusardët, të cilët përfshinin shumë nga shkrimtarët, artistët dhe akademikët kryesorë të epokës. Kjo ishte lindja e diçkaje që bota moderne e merr si të mirëqenë: një klasë intelektuale e angazhuar në mënyrë aktive në një luftë mbi kulturën dhe vlerat kombëtare. Për mbështetësit e Dreyfus, rreziqet ishin ato të demokracisë dhe drejtësisë franceze: të drejtat individuale, procesi i rregullt ligjor, barazia sipas ligjit. Anti-Dreyfusardët kishin frikë nga humbja e stabilitetit shoqëror, ndikimi klerik dhe tradita franceze.
Beteja u zhvillua për disa vjet, duke përçarë shoqërinë franceze dhe duke ndryshuar në mënyrë të pakthyeshme shekullin e 20-të.
Zola e shkroi letrën duke ndërmarrë rrezik të madh personal.
****
Duke bërë këto akuza, unë jam i vetëdijshëm se po e ekspozoj veten ndaj neneve 30 dhe 31 të ligjit të 29/7/1881 në lidhje me shtypin, të cilat e bëjnë shpifjen një vepër të dënueshme. E vë veten në këtë rrezik vullnetarisht.
Sa për njerëzit që po akuzoj, unë nuk i njoh, nuk i kam parë kurrë dhe as u uroj të keqen apo i urrej. Për mua ato janë thjesht subjekte, agjentë të dëmtimit të shoqërisë. Veprimi që po bëj nuk është më shumë se një masë radikale për të shpejtuar shpërthimin e së vërtetës dhe drejtësisë.
Unë kam vetëm një pasion: të ndriçoj ata që janë mbajtur në errësirë, në emër të njerëzimit që ka vuajtur aq shumë dhe ka të drejtë për lumturi. Protesta ime e zjarrtë është thjesht thirrja e vetë shpirtit tim. Le të guxojnë, pra, të më sjellin përpara një gjykate dhe le të hetojë në dritën e diellit! Jam në pritje.
Me respektin tim më të thellë, zotëri.
Émile Zola, 13 janar 1898
****

Ai u procedua për shpifje dhe u dënua me një vit burg. Ai iku nga Franca drejt Londrës, duke u kthyer pasi dënimi i Dreyfus u përmbys.
Dreyfus përfundimisht u lirua dhe u shfajësua, u rikthye në detyrë si oficer dhe u dekorua publikisht me Legjionin e Nderit. Me patriotizmin e padëmtuar, ai pa detyrë aktive në Luftën e Parë Botërore, pastaj jetoi i qetë në pension deri në vdekjen e tij, më 1935-n.
Efektet e Çështjes Dreyfus jetuan shumë më gjatë pas prehjes sw Dreyfus. Anti-semitizmi që ngriti u institucionalizua, anti-Dreyfusardët me kohë u bënë thelbi pro-fashist i regjimit të Vichy-së. Gazetari austriak Theodor Herzl, i shtangur nga ajo që pa gjatë “zhgradimit” të Dreyfus, e çoi të shkruajë “Shteti hebri”, librin që i dha fillesat Sionizmit modern.
Por nga të gjitha ato që Çështja Dreyfus vuri në lëvizje, është ngjitja e shtypit që ka formësuar, për mirë dhe për të keq jetën moderne. “J’accuze!” shkroi Zola dhe lindi një epokë e re.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




