Bota

Izraeli shpall ‘non grata’ Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres

Gazeta Si - Ministri i Jashtëm izraelit, Israel Katz, e shpalli Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së António Guterres "person non grata" dhe i ndaloi hyrjen në Izrael.

Katz tha se vendimi ishte i lidhur me dështimin e Guterres për të dënuar në mënyrë eksplicite sulmin e Iranit në territorin izraelit të martën.

Ai gjithashtu akuzoi Guterres për "mbështetje të terroristëve, përdhunuesve dhe vrasësve të Hamasit, Hezbollahut, Houthis dhe tani Iranit".

Në muajt e fundit, Guterres ka qenë shumë kritik ndaj Izraelit dhe pushtimit të Rripit të Gazës pas sulmeve të Hamasit në territorin izraelit më 7 tetorin e kaluar dhe kjo kishte bërë që Katz ta përkufizonte atë, dhe në vazhdimësi edhe Kombet e Bashkuara, si një organizatë anti-semite.

Guterres kishte thënë vetëm se ai dënoi "zgjerimin e konfliktit në Lindjen e Mesme".

"Kushdo që nuk mund të dënojë pa mëdyshje" sulmet e Iranit ndaj Izraelit, "nuk e meriton" të jetë në gjendje të hyjë në territorin e tij, tha Katz, nga partia e krahut të djathtë Likud.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë