Bota

Irani sulmon për herë të dytë Izraelin me rreth 200 raketa balistike: Hakmarrje për Gazën dhe Libanin. IDF: Do keni pasoja!

Gazeta Si - Irani sulmoi me rreth 200 raketa Izraelin mbrëmjen e kësaj të marte, pak pas paralajmërimit më herët nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku mes objektivave ishte selia qendrore e Mossad-it dhe bazat ushtarake.

BBC raportoi se mbi Tel Avivin u dëgjuan sirenat e luftës ndërsa edhe në Jeruzalem pati disa shpërthime, ndërsa pjesa më e madhe e raketave u ndaluan nga sistemi antiajror i quajtur "Iron Dome".

Ushtria izraelite apeloi qytetarët që të qëndronin në gatishmëri dhe të ndiqnin me përpikmëri instruksionet.

“Ju kërkohet të qëndroni në një strehë deri në një njoftim tjetër. Shpërthimet që po dëgjoni ndodhin nga interceptimet në ajër ose predhat që bien. Ushtria po vazhdon të identifikojë dhe interceptojë raketat”, deklaroi forca mbrojtëse e Izraelit.

Pas rreth një ore pasi dha këtë njoftim, ushtria izraelite doli sërish në një deklaratë ku tha se qytetarët mund të dalin nga strehëzat e mbrojtjes, por gjithsesi të ndiqnin udhëzimet e tyre. Kjo siç duket shënoi edhe fundin e sulmit të Iranit.

Izraeli tha se sistemi i saj i mbrojtjes ajrore ishte plotësisht funksional. Po ashtu zëdhënësi i ushtrisë u shpreh se deri më tani nuk ka raportime për ndonjë të lënduar nga sulmi. Ai deklaroi se sulmi ishte i rëndë dhe do të ketë pasoja.

Nisja e sulmit u konfirmua edhe nga agjencia shtetërore e lajmeve në Iran, IRNA, e cila tha se ushtria nisi një sulm me raketa balistike kundër Izraelit.

Ata publikuan një deklaratë të Gardës Revolucionare Islamike duke konfirmuar lëshimin e dhjetëra raketave kundër Izraelit dhe duke kërcënuar "me një sulm tjetër nëse Izraeli përgjigjet". Agjencia e lajmeve "Reuters" thotë se drejt Izraelit u lëshuan rreth 200 raketa.

Garda Revolucionare e përshkroi sulmin si një përgjigje për vrasjen në korrik të liderit të Hamasit, Ismail Haniyeh, vrasjen e liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah të premten dhe vrasjet ndaj popullit libanez e palestinez.

Në deklaratë thuhej se forca e saj ajrore shënjestroi baza të rëndësishme dhe do të bëjë publike detaje të tjera më vonë.

Irani pati paralajmëruar hakmarrje pasi Izraeli vrau të premten Hassan Nasrallah-un, kreun e Hezbollahut. Kjo forcë është aleate e Teheranit në Liban.

Lideri suprem i Iranit tha pas vrasjes së tij se kjo ngjarje nuk do të kalojë pa u marrë hak. Pavarësisht kësaj, trupat izraelite nisën edhe një sulm tokësor edhe në Libanin Jugor. Forcat izraelite thanë se në shënjestër kanë disa fshatra që paraqesin rrezik për veriun e Izraelit.

Në prill të këtij viti Irani lëshoi me shumë se 300 raketa dhe dronë ndaj Izraelit. Sulmi ishte si kundërpërgjigje ndaj atij që u krye në Konsullatën iraniane në Siri ku u vranë disa komandantë të lartë të saj.

Pas kësaj kanë ndodhur edhe incidente të tjera si për shembull vrasja e liderit të Hamasit, Ismail Haniyeh në Teheran.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë