Bota

Izraeli konfirmon vrasjen e zyrtarit të Hezbollah që pritej të bëhej lideri i ri i grupit

Gazeta Si – Ushtria izraelite ka konfirmuar vrasjen e zyrtarit të lartë të Hezbollahut, Hashem Safieddine, i cili pritej të ishte lideri i ardhshëm i grupit.

IDF thotë  se ai ishte vrarë në një sulm ajror në Bejrutin jugor në fillim të këtij muaji.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant tha më 8 tetor se Safieddine mund të ishte vrarë, por deri sot nuk ishte konfirmuar një gjë e tillë.

Ende nuk ka një reagim nga Hezbollah, në lidhje me këtë pretendim të shtetit hebre. Safieddine u vra në fillim të tetorit gjatë një sulmi që la të vrarë edhe 25 udhëheqës të tjerë të Hezbollahut, tha Izraeli.

Izraeli muajve të fundit ka vrarë shumë udhëheqës të lartë të Hezbollahut gjatë sulmeve që ka kryer në jug të Libanit, duke shkaktuar kaos në këtë grup.

Javën e kaluar, Izraeli vrau edhe Yahya Sinwarin, udhëheqësin e Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – gjatë një operacioni në Gazë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë