Izraeli do të fillojë të ofrojë një dozë të tretë të vaksinës Pfizer për njerëzit mbi moshën 60 vjeç, në mënyrë që të ngadalësojë përhapjen e variantit Delta. Kryeministri Naftali Bennett, duke nisur fushatën për dozën e tretë të vaksinimit tha se Presidenti Isaac Herzog do të ishte i pari që do të merrte dozën përforcuese.
Izraeli ishte një udhëheqës botëror në fillimin e vaksinimit, ku të moshuarit morën dozën e parë të vaksinës që në dhjetor. Por që nga shfaqja e variantit Delta, ministria e shëndetësisë ka raportuar dy herë një rënie të efikasitetit të vaksinës kundër infeksionit dhe një rënie të lehtë në mbrojtjen e saj kundër sëmundjeve të rënda. Fushata përforcuese, me doza të administruara nga organizatat e mirëmbajtjes së shëndetit, do ta kthejë Izraelin në një terren testimi për një dozë të tretë para se këtë proces ta miratonte Administrata e Ushqimit dhe Barnave e SHBA (FDA).
"Gjetjet tregojnë se ka një rënie të imunitetit të trupit me kalimin e kohës. Qëllimi i dozës së tretë është që antitrupat të rriten sërish duke zvogëluar shanset për infektimin dhe sëmundjet serioze ," tha Bennett në një konferencë shtypi. Përfaqësues të kompanisë Pfizer deklaruan të Mërkurën se njerëzit kanë nevojë për dozë shtesë kundër variantit Delta. Një panel ekspertësh izraelitë të vaksinimit që këshilluan ministrinë e shëndetësisë miratuan me shumicë dërrmuese fushatën nxitëse vonë të Mërkurën, tha Bennett. Njerëzit mbi 60 vjeç që morën dozën e dytë të vaksinës Pfizer të paktën pesë muaj më parë do duhet të marrin edhe një dozë shtesë.
Javën e kaluar, ministria e shëndetësisë vlerësoi se vaksina ishte vetëm 41% efektive në ndalimin e infeksioneve simptomatike dhe mbrojtja ndaj sëmundshmërisë së rëndë mbeti e fortë rreth 91%. Të tjerët thanë se Izraeli duhet të presë edhe pak për të marrë më shumë informacion në lidhje me sigurinë dhe efektivitetin e një doze të tretë. Rreth 57% e popullsisë 9.3 milion të Izraelit është vaksinuar. Rreth 160 persona janë shtruar në spital me simptoma të rënda dhe infeksionet e reja ditore janë rritur në më shumë se 2,000 raste në ditë./Reuters/
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.