Atletike

Izmir Smajli vendos për ‘kërcimin e jetës’, do të garojë për postin e Presidentit të Federatës Shqiptare të Atletikës!

Gazeta Si - Muaji nëntor do të jetë edhe muaji i shumësportëshit shqiptar, ku të gjitha federatat, të kryesuara nga Komitetit Olimpik Shqiptar, do të zhvillojnë Asambletë Zgjedhore, një proces që përkon gjithmonë me mbylljen e Lojërave Olimpike Verore.

Kjo Olimpiadë e Parisit, edhe pse arriti të lërë gjurmë në historinë e sportit tonë, pasi u morën medaljet e para olimpike nga mundësit Valiev dhe Dudaev, do të kujtohet edhe për faktin, që nuk mori pjesë për herë të parë në histori, sporti i peshëngritjes, apo se edhe Luiza Gega i mbylli llogaritë me Olimpiadat me rezultat jo të mirë.

Luiza Gega, që është sportiste e presidentit aktual të atletikës, Taulant Stërmasi, me të cilin bashkëpunon prej më shumë se një dekadë, zhgënjeu në këto Lojëra Olimpike, pasi nuk ia doli të kualifikohet në finalen e 3000 metrave me pengesa, pasi u rendit në vendin e 9-të në baterinë ku garoi.

Me kohën 9 minuta, 27 sekonda e 41 të qindtat, Gega dështoi për të qenë në mesin e pretendentëve për medaljet olimpike.

Përpos kësaj, deklarata e saj për Flamurin Kombëtar të parakalimit, me shprehjen “Flamur kinez”, duke nënkuptuar një model që doli në qarkullim disa kohë më parë, por që u bë e pamundura të evitohej në aktivitetetet kombëtare dhe ndërkombëtare, sigurisht që nuk shkoi në vesh të shurdhët.

Dhe nisur nga një situatë që nuk ishte e qetë, duket se kjo të ketë qenë si qershia mbi tortë e pakënaqësive të kampiones dhe trajnerit të saj, që ndodhen në pozita komanduese të Federatës, pas pezullimit të ish-presidentit Gjergji Ruli nga Federata Botërore e Atletikës që çuan në zgjedhje të parakohshme Federatën Shqiptare të Atletikës dhe që prej dy vitesh drejtohet tashmë nga Taulant Stërmasi.

Gazeta SI ka mësuar ekskluzivisht se rrymat politike dhe influencat e caktuara kanë bërë që zgjedhjet e ardhshme të Federatës Shqiptare të Atletikës të kenë një figurë të re si kandidat, bëhet fjalë për Izmir Smajlin, ish-kampionin e Europës në kërcim së gjati dhe disa herë Kampion Ballkanik.

Gazeta Si mësuar se sportisti shkodran, i cili prej vitesh u trajnua nga ish-presidenti Ruli, do të jetë kandidati surprizë përballë Taulant Stërmasit, duke u tërhequr kështu nga garat në moshë fare të re, 31-vjeçare.

Si sportist i niveleve të larta të atletikës dhe që fitoi betejën ligjore në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv me Federatën Botërore të Atletikës për një pezullim të përkohshëm, Smajli i cili vuajti një dënim të padrejtë dhe nga dëmtim i gjatë në gju, nuk arriti të kualifikohet në Olimpiadën e Parisit.

I gjendur në një situatë deri diku të favorshme, me mbështetje të komunitetit të atletikës, ai ka vendosur të kandidojë përballë Taulant Stërmasit për zgjedhjet e ardhshme të Federatës Shqiptare të Atletikës, që do të zhvillohen në muajin nëntor.

Për momentin vëmendjen në Federatë e ka zënë Maratona e Tiranës, e cila ka angazhimin e zyrtarëve të Federatës së këtij sporti, por edhe specialistëve si Gjergj Ruli, por që nga e hëna e më pas, do të fillojë hapur fushata për zgjedhjet e ardhshme, ku pa dyshim ajo që bën më tepër zhurmë është kandidatura e Izmir Smajlit.

Atleti shkodran befasoi në këtë sport me arritjet e tij, theu të gjitha rekordet e kërcimit së gjati, por fatkeqësia e pezullimit të gjatë dhe dëmtimit që i kërkoi shumë kohë për të rikuperuar dhe e largoi nga objektivat sportive, për të kthyer sytë, vëmendjen dhe dëshirën drejt organeve drejtuese të atletikës shqiptare.

Një përballje për momentin e heshtur dhe nën rrogoz, por që shumë shpejt do të marrë një vëmendje të madhe mes dy figurave të larta të këtij sporti, si Taulant Stërmasi, trajneri më i arrirë, kryesisht me Luiza Gegën, dhe Izmir Smajli, kampioni i Europës dhe disa herë i Ballkanit në disiplinën e kërcimit së gjati.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë