Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç i ka shpëtuar një sulmi terrorist në një vizitë në Somali, ku po lobonte kundër pavarësisë së Kosovës.
Kreu i diplomacisë serbe ndodhej në një takim me presidentin somalez, Muhamed Abdullahi Muhammed në pallatin presidencial në Mogadishu ditën e djeshme, kur një makinë plot me eksploziv shpërtheu përpara rezidencës.
Ky sulm ka lënë të vdekur të paktën 9 persona dhe më shumë se 15 të plagosur. Në momentin kur u dëgjua shpërthimi, Daçiç po fliste me presidentin e Somalisë.
“Ne jemi mësuar me shpërthimet sepse jemi bombarduar nga NATO,” tha ministri serb pak pas ngjarjes së rëndë.

Sipas raporteve, duket se objektivi i sulmit ishte një ministri i jashtëm somalez, Hussein Elaba Fahia, i cili ishte gjithashtu këshilltar i presidentit aktual të Somalisë.
Por sikur të mos mjaftonte kjo, ministri i Jashtëm serb duket se ka qënë sërish në rrezik për jetën, pasi pas largimit nga Somalia, avioni i tij ka pësuar një defekt dhe është detyruar të bëjë ulje emergjente në Athinë.
“Mezi shpëtuam. Një makinë bombë shpërtheu përpara pallatit presidencial ndërsa ishim në takim. Ka të vdekur në sulm”, u shpreh Daçiç nga Athina.
Ndërsa vizita në Somali ishte e fundit në agjendën e Daçiçit për tërheqjen e njohjes së Kosovës si shtet i pavarur.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



