Gazeta Si - Dy vjet e gjysmë pas atentatit me armë zjarri në autostradë, prokurori Arjan Ndoja para Komisionit të Vettingut, mohon akuzat për ndikim me persona të inkriminuar.
“Nuk e kam ditur se Aleksandër Laho të ketë patur probleme si individ.”, me këtë argument u mbrojt para KPK prokurori.
Laho mori një plumb në nofull në atentatin në mbikalimin e Shkozetit në 1 nëntor ndaj prokurorit Ndoj.
I njohur ndryshe me nofkën ‘Rrumi’, emri i Lahos është i njohur për botën e krimit, pas akuzave për rrahjen e biznesmenit libanez Fadi Mitri.
Por në deklaratën e tij, Ndoj thotë se është i njohur, por jo mik i tij. Ai ka hedhur poshtë pretendimet se nga Prokuroria e Durrësit janë vjedhur dokumente që kanë të bëjnë me dosjet e pronave në bregdet.
“Jam i hapur, unë nuk fsheh asgjë, i kam dalë borxhit kujtdo, hajde hetoni. Për shtetasin A.L., që më pyesni pse ky person ishte në makinën tënde, sërish ju them se pas atentatit lashë telefonin, lashë kodin. Nuk u gjet asgjë. Nga ky individ s’e kam ditur kurrë që kishte pasur probleme. Ai ishte u njohur për mua, jo mik. Miqtë që kam miq i njoh mirë dhe nuk i bej hasha”, - u shpreh Ndoj.
Ndoja është shprehur se njëri prej subjekteve që ka hetuar, ka kontakt të drejtpërdrejtë me kryeministrin e vendit, i cili nga foltorja e Kuvendit do ta konsideronte prokurorin e Durrësit si "KÇK", duke e bërë refren në muajt në vijim.
Gjatë fjalës së tij para prokurorëve, Ndoja tha se KPK nuk mund të bazohet tek lajmet, "pasi nuk ka asnjë provë tjetër për përfshirje".
Dosjet në makinë
Ai tregoi se para se shoferi i tij Andi Maloku të vritej, ka thënë se dosjet që u gjetën në makinë, i ka për personin S.D., që është avokat dhe do ia jepte atij. Ndoja këmbënguli se dosjet e gjetura në makinë nuk kanë lidhje me dosjet e tij hetimore.
“Para se të vdiste, Andi Maloku tha se dosjet ishin për personin s.d dhe do t’ia çonte atij“, tha Ndoja këtë të premte.
DISK ka konstatuar përshtatshmëri të figurës për prokurorin e Durrësit. Sipas DISK, Arjan Ndoja dyshohet se ka favorizuar persona me precedent penal gjatë detyrës së tij.
Në 2009 dhe 2010, dyshohet se ka pasur kontakte me persona të përfshirë në korrupsion.
KPK ka konstatuar se shtetasi A.L., është lidhje shoqërore e prokurorit dhe ka ndryshuar disa herë emrin për shkak të precedentëve.
Provat për KPK
Gjithashtu ONM ka deklaruar se prokurori ka qenë duke drekuar me këtë person përpara atentatit. Por prokurori ka shpjeguar se e njihte atë, prej kohësh që kur ka qenë avokat.
“Mua nuk më shqetëson asnjë sulm, por familjarët e mi ndihen te indinjuar kur shohin që paskan në shtëpi një person që paska kaq shumë probleme”.
Për sa i takon sulmit me armë në autostradë, Ndoja thotë se ia ka lënë në dorë SPAK-ut që ta zbulojë.
Ai shton e i ka vënë në dispozicion çdo provë KPK-së edhe pse ka qenë i plagosur në spital.
“Po e them këtë se janë bërë shume rastësi. Ndërsa mua më kanë vlerësuar në punën time gjykatat për hetimin, madje gjykatat kanë zbutur masën e dënimit dhe çështjet e mia kanë marrë të gjitha vendim të formës së prerë dhe s’më janë kthyer. Madje njëri nga këto subjekte që hetova ka kontakt të drejtpërdrejt me kryeministrin e vendit dhe i bëj thirrje vëzhguesit te OMN t’i marrë edhe këto dosje dhe t’i shikojë”, - ka deklaruar Ndoja.
Atentati në autostradë
Në 1 nëntor 2019, Ndoja u përshi në një atentat në mbikalimin e Shkozetit në Durrës.
Ai vetë mbeti i plagosur së bashku me një person tjetër, Aleksandër Laho, i cili njihet ndryshe edhe si Landi Muharremi, i dyshuar si i përfshirë në krimin e organizuar.
Ndërsa shoferi i prokurorit, Andi Maloku ndërroi jetë në spital pas plagëve të marra gjatë të shtënave.
Vetë Ndoja lidhur me këtë atentat, është shprehur se ka ardhur si pasojë e ndërhyrjes së qeverisë.
Prokurori u targetua në fillim të tetorit 2019 nga kryeministri Edi Rama dhe zv.kryeministri Erion Braçe se po i shërbente krimit të organizuar me urdhër-arrestin e lëshuar ndaj drejtorit të Kadastrës së Durrësit, Liridon Pula.
Ndërkohë më herët, Ndoja është hetuar për pastrim parash dhe fshehje pasurie, por akuzat ndaj tij u rrëzuan nga Prokuroria.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.