Drejtësia

Iu bashkuan luftëtarëve në Siri, SPAK kërkon nga 7 vite burg për 5 gratë xhihadiste

Gazeta Si – SPAK ka kërkuar 7 vite burg për secilën nga 5 gratë e akuzuara që shkuan në Siri e iu bashkuan luftëtarëve shqiptarë për xhihad.

Por për shkak të gjykimit të shkurtuar atyre u ulet automatikisht 1/3 e dënimit nëse shpallen fajtore.

Si përfundim, SPAK kërkoi pezullimin e dënimit me burg për gratë dhe vënien në shërbim prove për një periudhe 5-vjeçare.

Vendimi pritet të jepet pas disa ditësh nga GJKKO. SPAK i hetoi gratë xhihadiste që u riatdhesuan nga kampet e Sirisë në Shqipëri për pjesëmarrje në organizatë terroriste dhe përmirrje në veprimtari ushtarake në një shtet të huaj.

Gjatë seancës paraprake, të pranishme në gjykatë, gratë kanë mohuar akuzën për pjesëmarrje në konflikte ushtarake të huaja, duke deklaruar se kanë udhëtuar familjarisht dhe janë marre nga të afërmit apo bashkëshortët e tyre.

Të pandehurat në këtë proces u larguan në drejtim të Sirisë në vitet 2013-2014, duke ndjekur pas bashkëshortët e tyre që shkuan të luftonin fillimisht përkrah Al Nusras dhe më pas për ISIS.

Gjatë thirrjeve që organizata ISIS bënte për bashkim në këtë organizatë, shtetase shqiptare kanë udhëtuar nga Shqipëria në Siri duke iu përgjigjur thirrjes.

Fillimisht kanë udhëtuar vetëm burrat të rekrutuar dhe të nxitur në Shqipëri dhe më pas atyre iu janë bashkuar gratë dhe fëmijët.

Gratë iu janë bashkuar bashkëshortëve me vullnet të lirë duke marrë me vete edhe fëmijët, duke iu shërbyer atyre pavarësisht mundësisë që kanë pasur në fillim për t’u kthyer.

Sipas SPAK, ato kanë përfituar ndihma në formën e pagesës, një pjesë e tyre janë rimartuar pas vdekjes së bashkëshortëve, kanë kontribuar në rritjen e popullsisë së organizatës (pjesë e ideologjisë së organizatës) dhe kanë indoktrinuar e edukuar fëmijët me ideologjinë e organizatës.

Një pjesë e grave janë kthyer nga Siria në vitet 2020-2021, ndërsa disa të tjera vazhdojnë të qëndrojnë në kampe, në pritje të riatdhesimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë