Lajme

Ithtarët e ISIS-it arrestohen për vrasjen e turisteve skandinave

Policia e Marokut ka arrestuar 4 persona të dyshuar si përgjegjës për vrasjen e dy turisteve skandinave, (një nga Danimarka dhe tjetra nga Norvegjia) të gjetura të vdekura në malet e Atlasit të Lartë. Të mërkurën, autoritetet kishin arrestuar njërin prej tyre në Marakesh, ndërkohë që është konfirmuar “pista terroriste”, ku të katërt rezultojnë si të lidhur me ISIS-in. Inteligjenca daneze, zotëron një video autentike të shpërndarë në internet, ku duket vrasja makabre e njërës prej vajzave.

Për vrasjen e Louisa Vesterager Jespersen, 24 vjeç, nga Danimarka dhe Maren Ueland, 28 vjeç, nga Norvegjia, autoritetet lokale kishin arrestuar të dyshuarin e parë të mërkurën në Marakesh.

Të dyja vajzat, të cila kishin planifikuar një udhëtim njëmujor në Marok, u gjetën të ekzekutuara me armë të ftohta të hënën e kaluar në një zonë malore të izoluar 10 kilometra nga fshati Imlil, në Marok. Sipas faqes arabe “Al Arabiya”, të dy turistet ishin përdhunuar para se të ekzekutoheshin me prerje të kokës.

Të arrestuarit janë të gjithë nga Marakeshi dhe një prej tyre ka precedentë “të lidhur me aktet e terrorizmit”, sipas zëdhënësit të policisë Boubker Sabik. Në njërën nga fotot bardhezi të publikuara nga autoritetet, një nga të dyshuarit ka një mjekër të gjatë dhe mban një mantel të gjatë të bardhë. Edhe të tjerët kanë pak a shumë të njëjtën pamje.

“Arrestimet tregojnë efikasitetin e forcave të sigurisë,” thanë burimet pranë hetimit.
Ndërkohë, një video e dytë tregon katër të dyshuarit në vrasje, ndërsa betohen për besnikëri ndaj Shtetit Islamik dhe Abu Bakr Al Baghdadi. Video u lejua nëpërmjet “Twitter”-it nga islamisti francez Romain Caillet. Të katërt, me flamurin e zi të Shtetit Islamik në sfond, thonë se ata janë të gatshëm t’i përgjigjen thirrjes së ISIS për të kryer sulme.

Sipas Kryeministrit danez, Lars Loekke Rasmussen, vrasja mund të konsiderohet “e motivuar politikisht dhe si pasojë është një akt terrorizmi”. “Ka ende forca të errëta që duan të luftojnë vlerat tona” dhe përballë të cilave “ne nuk duhet të heqim dorë”, shtoi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë