Romanet janë si verërat në kuptimin që janë të mira dhe të këqija dhe udhëtojnë për të mbërritur kudo. Por ndryshe është të pish verë në vendin ku prodhohet dhe tjetër gjë është ta pish mijëra kilometra larg. Përhapja ose jo e një romani mund të varet nga çështja e përmbajtjes ose nga ato të formës, domethënë të gjuhës.
Zakonisht thuhet se romanet italiane më të njohura në mesin e të huajve janë ato me një mjedis vendas të karakterizuar qartë (veçanërisht në jug), të cilat përshkruajnë vendet që lexuesi mund të vizitojë dhe që kremtojnë forcën jetësore italiane siç shihet nga jashtë vendit.
Unë mendoj se kjo mund të ketë qenë dikur e vërtetë, por nuk është më: Së pari, sepse një roman vendas nënkupton një tërësi njohurish të veçanta që lexuesi i huaj nuk mund t’i kuptojë gjithmonë, dhe, së dyti, sepse një imazh i caktuar i Italisë si një vend “ekzotik” është tashmë larg realitetit dhe interesave të publikut. Me fjalë të tjera, që një libër të kalojë kufijtë, duhet të ketë diçka origjinale dhe universale, pra pikërisht e kundërta e një pohimi të imazheve të njohura dhe detajeve lokale.
Dhe gjuha ka rëndësinë më të madhe, sepse për të mbajtur vëmendjen e lexuesit, zëri që i flet duhet të ketë një ton, një timbër, një fuqi të caktuar. Sipas mendimit të sotëm mbizotërues një shkrimtar që shkruan me ton asnjanë, që krijon më pak probleme përkthimi, udhëton më mirë. Por unë mendoj se edhe kjo është një ide sipërfaqësore, sepse shkrimi i rrafshët mund të ketë vlerë vetëm nëse ndjenja e mërzisë që përcjell ka një vlerë poetike, domethënë nëse krijon një mërzi shumë vetjake, përndryshe nuk ndihet asnjë nxitje për ta lexuar. Komunikimi duhet të vendoset përmes theksit të veçantë të shkrimtarit dhe kjo mund të ndodhë në një nivel të përditshëm, bisedor, jo edhe aq ndryshe nga gazetaria më e gjallë dhe më e shkëlqyer, ose mund të jetë një komunikim më i gjallë, i brendshëm, i ndërlikuar, i përshtatshëm për shprehjen letrare.
Me pak fjalë, për përkthyesin, problemet për t’u zgjidhur janë të pafundme. Në tekstet, stili i të cilave është më shumë bisedor, përkthyesi që arrin që në fillim të kap tonin e duhur, mund të vazhdojë falë kësaj me një siguri që duket – që duhet të duket – e lehtë. Por përkthimi nuk është kurrë i lehtë; ndonjëherë vështirësitë mund të zgjidhen vetvetiu, pothuajse pa vetëdije, duke iu përshtatur tonit të autorit. Por për tekstet që janë stilistikisht më të ndërlikuar, me nivele të ndryshme gjuhësore që përplotësojnë njëra-tjetrën, vështirësitë duhet të zgjidhen fjali pas fjalie, duke ndjekur kundërvënien midis synimeve të vetëdijshme të autorit dhe shtysave të tij të pavetëdijshme. Përkthimi është art: kalimi i një teksti letrar, pavarësisht nga vlera, në një gjuhë tjetër kërkon gjithmonë një lloj mrekullie. Të gjithë e dimë se poezia është e papërkthyeshme; por letërsia e vërtetë, duke përfshirë prozën, funksionon pikërisht në kufijtë e papërkthyeshëm të çdo gjuhe. Përkthyesit letrarë janë ata që vënë gjithë qenien e tyre për të përkthyer të papërkthyeshmen.
Ata që shkruajnë në një gjuhë të pakicës, si italishtja, herët a vonë arrijnë në përfundimin e hidhur se mundësia e komunikimit mbështetet në fije të holla si rrjeta merimangash: ndrysho thjesht tingullin, renditjen dhe ritmin e fjalëve dhe komunikimi nuk arrihet. Sa herë, duke lexuar variantin e parë të përkthimit të njërit prej teksteve të mia që më tregonte përkthyesi, më ka kapluar një ndjenjë tjetërsimi nga ajo që lexoja: A ishte kjo ajo që kisha shkruar? Si mund të isha kaq e rrafshët dhe e padallueshme? Më pas, duke e rilexuar tekstin tim në italisht dhe duke e krahasuar me përkthimin, kuptova se përkthimi ishte ndoshta shumë besnik, por në tekstin tim ishte përdorur një fjalë me aluzion ironik që përkthimi nuk e kapte; një fjali e nënrenditur në tekstin tim kalonte me shpejtësi ndërsa në përkthim merrte një rëndësi të papërligjur dhe një peshë qënuk ishte në përpjesëtim të drejtë; kuptimi i një foljeje në tekstin tim dobësohej nga ndërtimi sintaksor i fjalisë, ndërsa në përkthim tingëllonte si një pohim urdhërues. Me fjalë të tjera, përkthimi komunikonte diçka krejtësisht të ndryshme nga ajo që kisha shkruar.
Dhe këto janë të gjitha gjëra që nuk i kisha kuptuar gjatë shkrimit dhe i zbulova vetëm duke rilexuar veten në lidhje me përkthimin. Përkthimi është mënyra e vërtetë e leximit të një teksti; kjo besoj se është thënë shumë herë. Mund të shtoj se, për një autor, të reflektoj mbi përkthimin e tekstit të vet dhe ta diskutoj atë me përkthyesin, është mënyra e vërtetë për të lexuar veten, për të kuptuar se çfarë ka shkruar dhe pse.
Ky shkrim është përqendruar në përkthimet nga italishtja në anglisht dhe më duhet të sqaroj dy gjëra: Së pari, drama e përkthimit siç e kam përshkruar është më e fuqishme sa më afër të jenë dy gjuhët, ndërsa largësia midis italishtes dhe anglishtes është e tillë. që të përkthesh do të thotë në një farë mase të rikrijosh dhe sa më i vogël të jetë tundimi për të bërë një transkriptim të mirëfilltë, aq më shumë gjasa ka që përkthyesi të ruajë frymën e një teksti. Mundimet që përshkrova ndodhin më shpesh duke lexuar veten në frëngjisht, ku mundësitë e një shtrembërimi të fshehur janë të vazhdueshme, pa përmendur spanjishten, e cila mund të ndërtojë fjali pothuajse identike me italishten, ndërsa fryma e tyre është krejtësisht e kundërt. Në anglisht rezultatet mund të jenë aq të ndryshme nga italishtja saqë mund të mos e njoh fare veten, por mund të ketë edhe rezultate që janë të lumtura pikërisht sepse dalin nga burimet gjuhësore të anglishtes.
Së dyti, ka shumë probleme edhe për përkthimet nga anglishtja në italisht – domethënë, nuk do të doja të dukej se vetëm italishtja është e dënuar të jetë një gjuhë e ndërlikuar dhe e papërkthyeshme. Edhe lehtësia e dukshme, shpejtësia, aspekti praktik i anglishtes kërkon dhuntinë e veçantë që ka vetëm përkthyesi i vërtetë.
Nga cilado gjuhë dhe në cilëndo gjuhë që përkthehet, përkthyesi duhet jo vetëm të njoh gjuhën, por edhe të ketë një ndjesi për frymën e gjuhës, shpirtin e të dyja gjuhëve, për të ditur se si të dyja gjuhët mund të transmetojnë thelbin e tyre të fshehtë. Kam fatin të përkthehem nga Bill Weaver, i cili e zotëron këtë frymë gjuhësore në shkallën më të lartë.
Unë besoj shumë se autori duhet të bashkëpunojë me përkthyesin. Ky bashkëpunim, përveç rishikimit të përkthimit nga autori, i cili mund të ndodhë vetëm në numrin e kufizuar të gjuhëve që autori ështëi aftë për të gjykuar, lind nga pyetjet e përkthyesit për autorin. Përkthyesi që nuk ka pyetje nuk mund të jetë një përkthyes i mirë: mund të gjykoj cilësinë e një përkthyesi nga lloji i pyetjeve që më bëhen.
Pastaj, besoj fort edhe në funksionin e botuesit, në bashkëpunimin mes redaktorit dhe përkthyesit. Një përkthim nuk është diçka që thjesht mund ta dërgoni për shtyp; puna e redaktorit është e fshehur, por kur është aty është e efektshme dhe kur jo, si në shumicën dërrmuese të rasteve në Itali dhe si rregull pothuajse i rregull i përgjithshëm në Francë, është një fatkeqësi. Natyrisht mund të ndodhë edhe që redaktori të prishë punën e mirë të përkthyesit; por mendoj se përkthyesit, sado të mirë të jenë, në fakt pikërisht kur janë të mirë, kanë nevojë që puna e tyre të vlerësohet fjali pas fjalie nga dikush që krahason tekstin origjinal dhe përkthimin dhe nëse është e nevojshme e diskuton me ta. Bill Weaver mund t’ju tregojë se sa e rëndësishme ka qenë për të të punojë me një redaktore të madhe si Helen Wolff, e cila kishte një vend të rëndësishëm në botimet letrare fillimisht në Vajmar, Gjermani, dhe pastaj në Shtetet e Bashkuara. Më duhet të them se dy vendet ku përkthimet e librave të mi kanë pasur sukses në botën letrare janë Shtetet e Bashkuara dhe Franca, pra dy vendet ku kam pasur fatin të kem redaktorë të jashtëzakonshëm. Unë kam thënë për Helen Wolff-in se ajo e ka punën më të lehtë, sepse ajo ka të bëjë me një përkthyes që është gjithashtu i jashtëzakonshëm, Bill Weaver-in; ndërsa François Wahl zbuloi se duhej të ribënte nga fillimi në fund pothuajse të gjitha përkthimet e librave të mi të botuar në Francë, nga Seuil. Me librin e fundit, arrita që të shtojë emrin e tij, i cili me të drejtë duhet të jetë edhe në përkthimet e mëparshme.
Ka probleme që janë të përbashkëta për artin e përkthimit nga çdo gjuhë, dhe probleme që janë specifike për përkthimin e autorëve italianë. Para së gjithash, është fak që shkrimtarët italianë kanë gjithmonë problem me gjuhën e tyre. Të shkruarit nuk është një akt i natyrshëm; pothuajse kurrë nuk ka lidhje me të folurit. Të huajt që kalojnë kohë me italianët me siguri do të kenë vënë re një veçori të bisedave tona: ne nuk mund t’i mbarojmë fjalitë – i lëmë gjithmonë në mes. Ndoshta amerikanët nuk janë shumë të ndjeshëm ndaj kësaj, sepse në Shtetet e Bashkuara njerëzit flasin edhe me fjali të ndërprera, pasthirrma, lokucione pa përmbajtje të saktë semantike. Por krahasuar me francezët, të cilët janë mësuar t’i fillojnë fjalitë dhe t’i përfundojnë, me gjermanët, të cilët gjithmonë e vendosin foljen në fund dhe me anglezët të cilët zakonisht krijojnë fjali të përpikta, mund të shohim se italianët flasin një gjuhë që priret të zhduket vazhdimisht në asgjë, dhe nëse do të duhej ta transkriptonim, do të duhej të përdornim vazhdimisht pikat e elipsit. Tani, në të shkruar, fjalisë duhet të përfundohet, dhe kështu shkrimi kërkon një përdorim të gjuhës krejtësisht të ndryshëm nga ai i të folurit të përditshëm. Shkrimtarët duhet të krijojnë fjali të plota dhe kuptimplota, sepse këtë nuk mund ta shmangin dot: ata gjithmonë duhet të thonë diçka. Edhe politikanët i përfundojnë fjalitë, por kanë problemin e kundërt, atë të të folurit për të mos thënë asgjë dhe duhet të kuptosh që aftësia e tyre është e jashtëzakonshme. Intelektualët gjithashtu shpesh mund të përfundojnë fjali, por ata duhet të ndërtojnë fjalime krejtësisht abstrakte, të cilat kurrë nuk prekin asgjë reale dhe që mund të krijojnë fjalime të tjera abstrakte. Ja pra, pozita e shkrimtarëve italianë: janë shkrimtarë që e përdorin gjuhën italiane në një mënyrë krejtësisht të ndryshme nga politikanët, krejtësisht ndryshe nga intelektualët, por ata nuk mund t’i drejtohen fjalës së përditshme, sepse ajo priret të humbasë tek e panyjëtuara.
Kjo është arsyeja pse shkrimtarët italianë jetojnë gjithmonë ose pothuajse gjithmonë në një gjendje neuroze gjuhësore. Ata duhet të shpikin gjuhën në të cilën shkruajnë, para se të shpikin atë që shkruajnë. Në Itali marrëdhënia me fjalën është thelbësore jo vetëm për poetët, por edhe për prozatorët. Më shumë se letërsitë e tjera të mëdha moderne, letërsia italiane kishte dhe ka si qendër graviteti poezinë. Ashtu si poetët, prozatorët italianë i kushtojnë vëmendje fjalës individuale dhe “vargut” që përmban proza e tyre. Nëse nuk e kanë këtë vëmendje në një nivel të ndërgjegjshëm, do të thotë se ata shkruajnë si në një poezi instinktive apo automatike.
Ky aspekt problematik i gjuhës është një element thelbësor i shpirtit të kohës sonë. Kështu letërsia italiane është pjesë e domosdoshme e letërsisë së madhe moderne dhe meriton të lexohet dhe të përkthehet. Sepse shkrimtarët italianë, në kundërshtim me opinionin popullor, nuk janë euforikë, të gëzuar, entuziast. Në shumicën e rasteve kanë temperament depresiv, por me një frymë ironike. Shkrimtarët italianë mund të nxjerrin si mësim vetëm këtë: të përballemi me depresionin, të keqen e kohës sonë, gjendjen e përbashkët të njerëzimit në kohën tonë, duke u mbrojtur me ironi, me shpërfytyrimin grotesk të spektaklit të botës. Ka edhe shkrimtarë që duken të mbushur me vitalitet, por në thelb është i trishtuar, i zymtë, i mbizotëruar nga ndjesia e vdekjes.
Kjo është arsyeja pse, sado e vështirë të jetë përkthimi i italianëve, ia vlen mundimi për ta bërë këtë: Sepse ne e jetojmë dëshpërimin universal me gëzimin më të madh të mundshëm. Nëse bota është gjithnjë e më e pakuptimtë, gjithçka që mund të bëjmë është të përpiqemi t’i japim një stil.
Italo Calvino (1923–1985), fitoi famë botërore me veprën e tij si një nga shkrimtarët më të mëdhenj të shekullit të njëzetë. I lindur në Kubë, u rrit në San Remo, Itali dhe më vonë jetoi në Torino, Paris, Romë dhe gjetkë. Ndër veprat e tij të shumta janë “Qytetet e padukshme”, “Nëse në një natë dimri një udhëtar”, trilogjia “Paraardhësit tanë” (1952-1959), si dhe përmbledhje të shumta me rrëfenja, përralla, kritika letrare dhe ese. Veprat e tij janë përkthyer në dhjetëra gjuhë.
Përktheu nga anglishtja: Granit Zela
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.