Lajme

Italianët rrinë më gjatë për pushime në Shqipëri e shpenzojnë më shumë

Turistët europianë që vijnë më të shumtë në numër në Shqipëri janë italianët, të cilët edhe bëjnë shpenzimet më të mëdha gjatë qëndrimit të tyre.

Raporti më i fundit i INSTAT për turizmin tregon se italianët qëndrojnë mesatarisht në Shqipëri 6, 8 ditë. 59 % e tyre qëndrojnë në hotel dhe 64 % viojnë në Shqipëri për pushime.

Shpenzimet mesatare ditore për person llogariten 81 Euro.

Kurse grekët qëndrojnë në Shqipëri mesatarisht 3,6 ditë dhe 79 % e tyre që vijnë, qëndrojnë në hotel. 62 % vijnë për pushime. Grekët shpenzojnë në Shqipëri meatarisht 59 Euro në ditë.
Nëse do të vërejmë prurjet e rajonit, janë maqedonasit ata që qëndrojnë më gjatë në Shqipëri, por ata që shpenzojnë mesatarisht më shumë në ditë, janë malazezët.

Ata që vijnë më shumë për pushime janë kosovarët të ndjekur nga maqedonasit.
Gjatë vitit 2018, hyrjet e shtetasve nga rajoni i Evropës zënë pjesën më të madhe të hyrjeve të shtetasve të huaj me 89,5 %, duke u rritur me 13,2 %.

Shtetasit e huaj që hyjnë në Shqipëri vijnë kryesisht nga: Kosova (35 %), Maqedonia e veriut (11 %), Greqia (9 %), Mali i Zi (6 %) dhe Italia (7 %).

Në periudhën 2014-2018, numri i vizitorëve të huaj me netë qëndrimi (ku përfshihen vizitorët që qëndrojnë të paktën një natë në hotel apo në struktura akomoduese të tjera, tek të afërmit, shtëpitë e tyre, etj) është rreth 21 milionë duke u rritur me 10,7 % gjatë 2018. Ndërsa numri i vizitorëve ditorë, për harkun kohor 2014-2018, është rreth 1,7 milionë, duke u dyfishuar gjatë vitit 2018, krahasuar me vitin 2017.

Në periudhën 2014-2018, hyrjet e shtetasve të huaj për qëllime personale: (pushime, vizitë në të afërm, trajtim shëndetësor, qëllime fetare etj) zënë pjesën më të madhe të hyrjeve të shtetasve të huaj, mesatarisht 98,7 %. Numri i hyrjeve të shtetasve të huaj për qëllime personale është rritur me 15,7 % në 2018, krahasuar me një vit më parë. Ndërsa hyrjet për qëllime biznesi zënë 1,5 % të hyrjeve gjithsej, duke u rritur 27,2 % në 2018, krahasuar me një vit më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë