Më të mirat 2021

‘Italianët’ e Kombëtares Kuqezi në syrin e ish-bomberit Erjon Bogdani

Nga Fatjon Rupi - Italia është një oaz për futbollistët shqiptarë, disa të transferuar në klubet më të mira të Serisë A, disa të tjerë të lindur dhe rritur aty. Të parët tokën italiane e kanë shkelur Naim Kryeziu, Riza Lushta dhe Loro Boriçi, gjatë viteve të komunizmit, ndërsa pas viteve ’90 dy “ambasadorët” shqiptarë në Itali janë dy ish-sulmuesit Erjon Bogdani dhe Igli Tare.

Erjon Bogdani ishte i pari që kaloi nga Kroacia në Itali në vitin 2000, kur veshi fanellën e Rexhinës. Gjatë 10 vitesh karrierë në vendin fqinj, përveç Rexhinës, ai ka veshur edhe fanellën e Salernitanës, Veronës, Kievos, Sienës, Livornos dhe Çezenës. Shënuesi më i mirë i Kombëtares, me 18 gola, aktualisht jeton në Itali dhe i njeh më mirë se kushdo tjetër kuqezinjtë që aktivizohen aty.

Bogdani, duke festuar një gol në Serinë A me fanellën e Sienës

Për Gazeta Si, Bogdani e nis skanerin e “italianëve” të Kombëtares me Berat Gjimshitin, lojtarin e momentit. “Gjimshiti po kalon një moment shumë të mirë. Është një lojtar stabël i Atalantës, një skuadër e shumë e mirë, që luan futboll të nivelit të lartë. E them me bindje se Berati është mes 5 mbrojtësve më të mirë në Itali.

E ka treguar veten si në ndeshjen me Realin e Madridit në Ligën e Kampionëve, ku Atalanta luajti për shumë minuta me një lojtar më pak, por edhe ndaj Interit në kampionat, ku përballoi një sulmues shumë të fortë fizikisht, siç është Lukaku. Gjimshiti është një lojtar shumë i rëndësishëm edhe për Kombëtaren, është rritur shumë dhe po ecën shumë mirë. E përsëris, është nga më të mirët e Serisë A”, - shprehet Bogdani. Kujtojmë që Gjimshiti ishte një nga 4 lojtarët e mbetur jashtë listës së Euro 2016, bashkë me Rashicën, Shalën dhe Rrahmanin.

Gjimshiti në dyluftim me Lukakun

Më pas ish-sulmuesi flet për lojtarët e tjerë të Kombëtares, nga të cilët më mirë njeh Marash Kumbullën: “Kumbulla është një lojtar mjaft i mirë, që do t’i shërbejë Kombëtares për shumë vite. E njoh më mirë, sepse e kam pasur te Shqipëria U-19. Kalimi te një skuadër e madhe si Roma kuptohet që kërkon pak kohë për ambientimin. Është një mbrojtës me kualitet, me potencial dhe cilësi shumë të mira”.

Hysaj dhe Strakosha
Dy kuqezinj të tjerë, Elseid Hysaj dhe Tomas Strakosha, me shumë gjasa do të ndërrojnë skuadër në verë. Për këta dy lojtarë, Bogdani thotë: “Hysaj është një profesionist i vërtetë, ka luajtur disa vite te Napoli, ku besoj se ka qenë i vlerësuar. Edhe Gatuzo e vlerëson si lojtar, e ka aktivizuar edhe në krah të majtë, por mendoj se më të mirën ai e jep në të djathtë, në rolin natyral. Besoj se nuk do të jetë problem për Hysajn që të gjejë një skuadër të mirë për të vazhduar karrierën, nëse ikën nga Napoli.

Elseid Hysaj

Strakosha? Ka vite që luan në Itali, me një klub me emër si Lacio. Nuk është e lehtë dhe ai i ka treguar vlerat gjithë këto vite, duke qenë titullar. Këto muajt e fundit ka kaluar një periudhë të vështirë për arsye të ndryshme, dëmtimi e pastaj koronavirusi. Çdo lojtar ka ato momentet e veta të vështira në karrierë, por niveli dhe cilësitë e Strakoshës nuk vihen në diskutim. Nuk e prishin imazhin e tij këto muajt e fundit.

Edhe Ardjan Ismajli po luan mirë. Mendoj se pas 3 muajve të parë që iu deshën për ambientimin, është një lojtar i besueshëm dhe në rritje. Pse vetëm mbrojtës në Itali? Nuk e di, ndoshta është rastësi”.

Nedim Bajrami
Në listën e Shqipërisë pritet të jetë edhe Nedim Bajrami, fantazisti 22-vjeçar i Empolit që ka zgjedhur të veshë fanellën kuqezi, duke hequr dorë nga Zvicra. Për këtë futbollist, Bogdani shprehet: “E njoh si lojtar, luan me Empolin, që është në vend të parë të Serisë B dhe kjo nuk është pak. Është një lojtar që bën diferencën dhe kuptohet që të gjithë ata që bëjnë diferencën me ekipet e tyre, janë të rëndësishëm edhe për Kombëtaren.

Nedim Bajrami

Nga gazetat kam mësuar se Bajrami është një lojtar që kërkohet që tani nga klube të Serisë A, emri i tij lakohet jo pak në merkato. Kjo do të thotë se është një futbollist me kualitet dhe me të ardhme”.

Kombëtarja dhe kualifikueset e Botërorit
Për fazën kualifikuese të eliminatoreve të Katar 2022, ku Shqipëria ka kundërshtarë të fortë në grup, si Anglia, Polonia e Hungaria, Bogdani shprehet se kemi një skuadër të aftë për të bërë mirë, por çdo kundërshtar duhet ta vlerësojë maksimalisht. “Kemi lojtarë të mirë në Kombëtare, që luajnë me klube të mëdha. Shorti i kualifikueseve është i vështirë, patjetër, por mund të kemi një ecuri të mirë.

Ajo që unë dua të theksoj ka të bëjë me faktin që ne duhet të vlerësojmë maksimalisht edhe ndeshjet me kundërshtarë më të dobët, si Andorra, apo të nivelit tonë. Nuk ia kam frikën ndeshjes me Anglinë, ku motivimi vjen vetë, për këtë jam i sigurt. E kemi treguar gjithmonë se në këto ndeshje japim gjithçka, por këtë duhet të bëjmë ndaj çdo kundërshtari. Liga e Kombeve na dha një leksion në këtë drejtim. Duke nënvlerësuar me ekipe si Lituania dhe Kazakistani, nuk u ngjitëm në nivelin e pritshëm.

Bogdani me fanellën e Kombëtares

Vendi që mund të zëmë? E vështirë të parashikohet, rëndësi ka që skuadra të ketë gjendjen më të mirë në këto ndeshje, që lojtarët të vijnë nga klubet në formën optimale. Kemi futbollistë të mirë. Për mbrojtësit folëm, edhe në sulm kemi lojtarë që kanë kualitet. Kemi Cikalleshin që po kalon një formë të mirë. Edhe Uzuni po ashtu, që luan me një Ferencvaroshin, një klub i rëndësishëm. Besoj se Uzuni ka mundësi për të luajtur në një klub më të madh, në një kampionat më të fortë.

Kundërshtarët tanë në grup kanë lojtarë të mirë, emra të njohur, por rëndësi ka skuadra, fryma e grupit. Kombëtarja jonë i ka të gjitha shanset për të qenë kompetitive në kualifikueset e Botërorit, gjithmonë duke kërkuar të marrë maksimumin nga çdo ndeshje”, - përfundon Bogdani për Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë