Italia planifikon të pajisë me dokumente ose lejeqendrim të gjithë emigrantët e paligjshëm që punojnë në bujqësi, por mosmarrëveshjet midis partive qeverisëse po ngadalësojnë miratimin e paketës së fundit financiare.
Paketa e re stimuluese, e quajtur Rilancia Italia, ka një vlerë prej 55 miliardë euro dhe pritej të miratohej në fund të prillit, por ajo është akoma e bllokuar, për shkak të përplasjeve mes partive qeveritare, Pesë Yjet dhe Partisë Demokratike. Shkak për debat është pajisja me leje qëndrimi e qindra mijëra emigrantëve që kryesisht punojnë në sektorin e bujqësisë dhe qëndrimi i të cilëve në Itali nuk legalizohet zyrtarisht.
Ministri i Ekonomisë i Italisë Roberto Gualtieri mohoi të hënën se çështja po shkaktonte tension në koalicionin qeverisës, duke shtuar se qeveria po kërkon thjesht zgjidhjen më të mirë.

Ai gjithashtu njoftoi se sigurisht që do të ketë një ndërhyrje shtetërore, jo vetëm sepse ka mungesë të fuqisë punëtore, por edhe sepse bujqësia nuk mund të punësojë njerëz në të zezë.
Pëse Yjet hodhi poshtë propozimin e fundit të paraqitur nga Ministrja e Brendshme Luciana Lamorgese dhe Ministrja e Bujqësisë Teresa Bellanova i cili do të siguronte lejeqendrim për emigrantët ilegalë që kanë punuar në Itali para 8 marsit, thjesht duke paguar një grant prej 400 €.
Javën e kaluar, Teresa Bellanova kërcënoi të jepte dorëheqjen nëse qeveria nuk rregullonte qëndrimin e mbi 600,000 emigrantëve të paligjshëm që punojnë në fermat italiane.
Sipas partisë qendrore të Bellanova, Italia Viva, këta emigrantë rrezikojnë të shfrytëzohen nga organizatat kriminale nëse shteti nuk u jep atyre njohje ligjore. Partitë e tjera të majta në koalicionin qeverisës, Partia Demokratike e majta e qendrës dhe e majta Liberi e Uguali, po mbajnë të njëjtin qëndrim.

Sidoqoftë, Pesë Yjet janë të ndarë. Drejtuesi i saj aktual, Vito Crimi, është kundër emigracionit dhe madje ish-drejtuesi i partisë Luigi Di Maio duket skeptik, duke thënë se sektorit të bujqësisë i duhet ndihmë, por jo amnisti. Nga ana tjetër, figurat kryesore të partisë janë duke u përkulur drejt pozicioneve të majta.
Debati për pajisjen me dokumenta të punëtorëve ka qënë prej kohësh i ashpër në Itali. Ndërsa sektori i bujqësisë dhe kisha katolike janë hedhur në mbështetje të kësaj strategjie, ndërsa opozita e krahut të djathtë, e udhëhequr nga Lega Nord e Matteo Salvinit, është fuqimisht kundër.
Udhëheqësi i Legës, Matteo Salvini paralajmëroi se partia e tij ishte e gatshme të dilte në rrugë nëse ndodh një legalizim masiv i emigrantëve të paligjshëm. Sipas tij, kjo paketë mund të kthehet si një faktor nxitës për më shumë emigrantë të paligjshëm në Itali, që do të duan të gjithë të punojnë tokën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.