Ka ndodhur

Italia “blindohet” për Pashkë, drejt mbylljes në 3-4-5 prill

Nga 3 deri në 5 Prill e gjithë Italia do të jetë në “zonën e kuqe”, duke përfshirë të hënën e Pashkëve dhe ditët pas festës.

Ky është rekomandimi i autoriteteve shëndetësore për qeverinë gjatë takimit me krerët e rajoneve dhe autoritetet lokale.

Megjithatë, kufizimet e reja anti-Covid do të jenë të vlefshme nga 15 marsi, deri më 6 prill.

Gjatë kësaj jave është regjistruar një rritje e dukshme e numrit të të infektuarve dhe të viktimave me Covid. Në 24 orët e fundit janë shënuar 373 viktima dhe 25.653 të infektuar.

Shqetësuese shfaqet në të gjithë territorin përhapja e varianteve të reja të virusit Covid 19.

Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetit publik, varianti “anglez” i virusit është verifikuar në gati 54% të rasteve të infektimit, në 4% janë rastet e infektimit me variantin “brazilian” dhe 0.4% me atë “afrikano-jugor”.

Në ora 11.00 të ditës së sotme, kryministri Mario Draghi ka thirrur mbledhjen e Këshillit të Ministrave ku pritet të aprovohet drafti i masave të reja anti-Covid.

Komiteti tekniko-shkencor dhe autoritetet shëndetësore italiane kanë rekomanduar qeverinë Draghi për shtimin e masave të reja shtrënguese kundër rrezikut pandemik.

Masat e reja të qeverisë italiane priten të hyjnë në fuqi prej ditës së hënë 15 mars e me kohë-zgjatje deri më 28 prill.

Por dhe java e festës fetare të Pashkëve, pra prej datës 3 prill e për një javë rresht më pas është parashikuar të jetë në një regjim “lockdoën” në nivel kombëtar.

Ndërkohë, sa i takon vaksinave, Ministri i Shëndetësisë, Speranza siguron që të gjitha dozat anti-Covid të përdorura në Itali, “janë efektive dhe të sigurta” dhe thotë se 400 mijë doza janë administruar në dy ditët e fundit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë