Lajme

Itali, shqiptari kapet me mbi 40 kg kokainë me vlerë 10 milionë euro

Gazeta Si – Një 30-vjeçar shqiptar është vënë në pranga në Itali, pasi u kap me një sasi të konsiderueshme droge.

Sipas mediave lokale, atij iu gjetën mbi 40 kilogramë kokainë e pastër me vlerë 10 milionë euro nëse do të hidhej në treg.

Kontrolli në mjetin e shqiptarit, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur, u krye të premten në mëngjes. Karabinierët e Ancona-s i gjetën aty 1 kilogram kokainë të fshehur.

Por pas kësaj, të riut, i cili qëndronte në Breshia, iu ushtrua një kontroll edhe në shtëpi. Aty gjetën edhe sasinë tjetër të kokainës e cila ishte e cilësisë më të lartë. Po ashtu, shqiptari kishte edhe një pistoletë me municion.

Sipas mediave, apartamenti përdorej si një laborator dhe magazinë. Aty u gjetën edhe para cash dhe mjetet e tjera të nevojshme për të ndarë sasinë e kokainës.

Mësohet se i riu shqiptar kërkohej nga Guardia di Finanza e Breshias. Tashmë ata shpresojnë që shqiptari të flasë për të bërë të mundur zbërthimin e të gjithë skemës kriminale dhe të gjithë personave të tjerë të përfshirë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë