Gazeta Si - Një grua, porositi vëllain e saj të vinte nga Shqipëria në Itali për të vrarë bashkëshortin e saj po shqiptar, i cili e kishte keqtrajtuar për vite me radhë në Romë.
Një zbulim i befasishëm del në hetimet për vdekjen e 49-vjeçarit shqiptar Petrit Caka, i vrarë me plagë të shumta me thikë në pjesë të ndryshme të trupit dhe gjithashtu në kokë më 13 dhjetor të vitit të kaluar në shtëpinë e tij në Rocca Priora, pranë kryeqytetit.
Dukej si një grabitje shtëpie, por pas ngjarjes fshihet një krim i urdhëruar nga gruaja e tij, e cila donte të hakmerrej për një seri dhune të pësuar nga viktima.
Të paktën ky do të ishte versioni paraprak i fakteve, që dolën në pah gjatë hetimeve të ndjekura nga policia italiane e kryeqytetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Velletri-t.
Sipas mediave italiane, mëngjesin e kësaj të enjteje janë ekzekutuar 3 nga katër urdhër-arrestet të lëshuara nga gjyqtari kundër gruas dhe tre bashkatdhetarëve, njëri prej të cilëve – vëllai i saj i akuzuar për vrasjen – është ende në arrati dhe po kërkohet ndërkombëtarisht edhe me bashkëpunimin e Interpolit dhe Europolit.
Gruaja u gjurmua dhe u arrestua në një shtëpi tjetër po në Rocca Priora ku jetonte së fundmi, ndërsa dy bashkëpunëtorët e tjerë të vëllait të saj, u ndaluan njëri (27 vjeç) me makinë në Via Cassia, pranë Romës dhe tjetri (31 vjeç) në Bari, ndërsa ishte gati për të hipur në tragetin për në Durrës.
Nga hetimet e karabinierëve, të cilët analizuan pamjet e sistemeve të shumta të kamerave të sigurisë në Rocca Priora, si dhe falë përgjimeve telefonike dhe me elementë të tjerë, rezultoi se në datën 10 dhjetor 2022 gruaja dërgoi vëllain e saj me një bashkëpunëtor nga Shqipëria, me një fluturim të planifikuar në aeroportin Fiumicino.
Tre ditë më vonë, vëlla e motër (kjo e fundit pa qenë fizikisht) inskenuan grabitjen në shtëpinë, ku Caka u vra pa mëshirë.
Ka qenë gruaja ajo që njoftoi karabinierët, ku ka konstatuar gjoja trupin e pajetë të bashkëshortit të saj. Megjithatë, me kalimin e muajve, versioni i saj i ngjarjeve nuk i bindi dyshimet e hetuesve, të cilët në fund rindërtuan atë që kishte ndodhur realisht.
Historia në fakt vjen nga larg. Gruaja e Petrit Cakës, sipas hetimeve, dyshohet se është nxitësja dhe porositësja e krimit.
Është ajo që do të kishte dashur që burri i saj të vdiste. Një krim i ndodhur “në kontekstin e mundshëm të keqtrajtimit të kahershëm në familje” që ajo kishte pësuar, sqaruan hetuesit italianë.
Pas krimit, dy autorët e dyshuar, arritën të arratiseshin, duke u kthyer në Shqipëri po atë ditë, me një fluturim nga Roma dhe falë mbështetjes së dhënë nga një bashkëpunëtor tjetër shqiptar.
Falë ndarjes së informacionit të prokurorëve, bashkëshortja e Petrit Cakës dhe dy nga tre shqiptarët u arrestuan në Itali.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.