Lajme

Itali, goditet klani i trafikantëve shqiptarë të drogës pranë ‘Diabolik’-ut

Në një operacion “blic” mëngjesin e së martës, policia italiane ka goditur dy grupe trafikantësh droge italo-shqiptare, të akuzuar për zhvatje dhe zjarrvënie të qëllimshme, si dhe për posedim të armëve të zjarrit.

Njëri prej dy grupeve, drejtohej nga një shtetas shqiptar me precedentë penalë, i afërt me Fabrizio Piscitelli, i njohur si “Diabolik”, kreu i tifozëve ultras të ekipit të futbollit të Lacios, i vrarë në vitin 2019 dhe për të cilin vrasësi i dyshuar u arrestua rreth një muaj më parë. Në pranga përfunduan 27 persona të arritur me po aq urdhra paraburgimi.

Të dy grupet merreshin me trafik të sasive të mëdha të kokainës dhe ishin në luftë të hapur me njëri tjetrin për territor.

Sipas hetuesve, organizatat kanë patur hierarki të mirëpërcaktuar dhe ishin të strukturuara. Akuzat e ngritura ndaj të arrestuarve janë për trafikun e drogës, armëmbajtje pa leje, zhvatje etj.

Operacioni i policisë italiane në Romë për shkatërrimin e dy grupeve kriminale u finalizua gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë