Lajme

Itali, 24-vjeçarja shqiptare arrestohet me akuzën e vrasjes

Një vajzë e re shqiptare është ndaluar nga policia italiane e Alesandrias me akuzën e vrasjes së 53-vjeçarit Massimo Garitta në Ovada.

Gazeta italiane “La Stampa” shkruan se në pranga ka rënë Aurela Perhati, 24 vjeçe, e cila jetonte prej 22 vjetësh në Itali dhe punonte si shitëse në një dyqan këpucësh në zonë.

Sipas të njëjtave burime, Perhati, pas orësh të gjata intervistimi nga hetuesit, ka pranuar se e ka marrë në makinën e saj viktimën më 31 Dhjetor 2018 dhe e ka çuar në një fushë, ku e ka shtypur me mjet.

Hetimet e kryera nga karabinierët çuan te shqiptarja, pasi numri i marmitës së makinës “Lancia Y” të vajzës, mbeti i stampuar te xhupi i viktimës, Massimo Garitta. Përveç kësaj, gjurmët e gomave të makinës së 24-vjeçares përputheshin me ato të gjetura në vendngjarje.

E reja është ndaluar mëngjesin e kësaj të premteje dhe ndodhet në paraburgim në Vercelli, në pritje të masës së sigurisë. Motivet e krimit mbeten ende të paqarta.

Aurela Perhati raportohet se jeton prej shumë vitesh në Ovada me familjen, ku edhe punonte si shitëse në një dyqan këpucësh. Në të njëjtën komunë jeton edhe viktima. Ky i fundit, sipas hetuesve, njihet si person i varur nga droga dhe me precedentë të mëparshëm penalë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë