Gazeta Si – Isuf Hasa, ka pohuar para grupit hetimor se shkaku që ka vrarë me çekiç fqinjin e tij Xhemal Meta në Zall Bastar, ka qenë bullizimi dhe ngacmimi i gruas nga ana e viktimës.
Autori i dyshuar ka rrëfyer krimin me detaje, duke theksuar se gjithçka erdhi si pasojë e ofendimeve të vazhdueshme të Xhemal Metës ndaj tij.
Hasa ka treguar se e kishte kuptuar që Meta i ngacmonte gruan dhe se nuk e duronte dot më këtë situatë.
“Në mëngjes shkova në shtëpinë e Xhemalit dhe pimë kafe. Pasi mbaruam aty vendosëm të shkonim në lokalin e fshatit. Në oborrin e shtëpisë së tij pashë ku ishte çekiçi. E mora dhe e qëllova nga mbrapa. Kishte shumë kohë që më bullizonte dhe më ofendonte. Kisha kuptuar që më ngacmonte gruan. Unë punoj roje nate në Dajt dhe kishte raste nuk shkoja tre netë në shtëpi. Xhemali më merte në telefon dhe më thoshte: “Si nuk na dhe një herë nga rakia e gruas”. Kisha kohë që nuk po e duroja dot. Pasi e vrava, i mora lekët. E dija që kishte lekë sepse m’i kishte treguar ai vetë. Më pas kam shkuar tek stacioni elektrik dhe deri në Tiranë kam zbritur me një makinë të tyre. Më pas shkova tek shtëpia e vajzës në Vorë. Në një cep të banesë fsheha edhe çekiçin. Por nuk i kam treguar askujt për atë që kisha bërë”, tha Hasa në dëshminë e tij.
Hasa është shoqëruar në komisariat fill pas ngjarjes, por më pas është lënë qëllimisht i lirë. Pas sigurimit të provave, agjentët e vunë në pranga.
Ngjarja e rëndë ndodhi 3 ditë më parë. I moshuari u gjet i pajetë në oborrin e banesës së tij, me dëmtime të rënda në pjesën e pasme të kokës.
Policia nisi hetimet dhe pas dy ditësh doli në përfundimin e nuk ishte një vdekje aksidentale, por një vrasje me sende të forta.
Mësohet se fqinji i tij e ka goditur me çekiç mëngjesin e 13 janarit, duke e lënë të vdekur në vend.
Më pas i ka marrë 200 mijë lekë të rinj që Meta kishte në xhep dhe është larguar nga vendngjarja.
Policia ka ushtruar kontrolle dhe në banesën e vajzës së Isuf Hasës në fshatin Gjokaj të Vorës, ku kanë gjetur çekiçin me të cilin 64 vjeçari ka kryer krimin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.