Art dhe Kulture

Ismail Kadare merr titullin “Qytetar Nderi” i Fierit

Shkrimtari i madh, Ismail Kadare, është vlerësuar me titullin “Nderi i Bashkisë Fier”.

Këshilli bashkiak i Fierit i akordoi Kadaresë titullin me motivacionin: “Për kontributin e jashtëzakonshëm që i ka dhënë ndër vite letërsisë shqipe dhe për promovimin e saj në nivelet më të larta të kulturës botërore. Me angazhimin dhe talentin e tij, i ka dhënë vlerë mendimit të spikatur dhe cilësor, duke lartësuar në arenën mbarëkombëtare identitetin shqiptar”.

Çmimi iu dorëzua në sallën e teatrit “Bylis” nga kryebashkiaku Armando Subashi.

Teksa rikthehej pas 30 vitesh në qytetin e Fierit, gjeniu i letrave shqipe i emocionuar është shprehur se dashuria e lexuesit mbetet e shenjtë.

“Jam i lumtur që jam midis jush, besojeni për shkrimtarin sado i dëgjuar të jetë, dashuria e lexuesit është e shtrenjtë, prandaj ju falenderoj nga zemra për këtë pritje kaq të bukur, të ngrohtë e kaq shqiptare”, u shpreh Kadare.

Aktiviteti u zhvillua në teatrin “Bylis”, ku referuan akademiku Ali Aliu, Profesori i Letërsisë Sadik Bejko, drejtorja e Qendrës Kombëtare e Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli, Klara Kodra e Majlinda Rama.

Referatet rreth krijimtarisë dhe karrierës së suksesshme të Kadaresë u përcollën me interpretimin brilant të aktorit të njohur, Timo Flloko dhe aktorit të Teatrit “Bylis” Klajdi Marku.

Ismail Kadare ka arritur të marrë çmime të shumta ndërkombëtare dhe konsiderohet si një nga shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë europianë dhe ka figuruar si konkurrent për Çmimin Nobel që në vitin 1973.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë