Gazeta “Si” – Si sot më 28 janar të vitit 1936 u lind në lagjen Palorto të Gjirokastrës së gurtë, shkrimtari Ismail Kadare.
Vokacioni i tij për letërsinë e kishte zanafillën që në moshë të hershme, kohë kur do t’i linte mbresë të pashlyeshme leximi i tragjedisë “Makbethi” të autorit anglez, William Shekspir.
Ndërkohë, sot përmes artit të letërsisë ka universalizuar botën tonë kulturore.
Kadare botoi librin e parë me poezi “Frymëzimet djaloshare”, në vitin 1954, kohë kur ishte ende në vendlindje.
Pastaj do të vendosej në Tiranë, ku kreu studimet e larta në degën e Gjuhë-Letërsisë dhe u diplomua për “Mësuesi”.
Në harkun e viteve 1958-1960, Kadare thelloi studimet e tij në letërsi në Institutin “Maksim Gorki” në Moskë. Në vitin 1960, i detyruar t’i braktiste studimet për shkak të ndërprerjes së marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe ish-Bashkimit Sovjetik, u kthye në atdhe.
Në vitin 1963, pas ndryshimeve të herëpashershme, u botua romani i tij “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, i cili pati jehonë edhe përtej vendit. Por romani do të pritej keq aso kohe nga kritika në vend. “Ky roman u botua nga borgjezia dhe kjo nuk mund të pranohet”, thotë një raport i policisë sekrete në atë kohë.
Por, tematika e natyrës liridashëse të shqiptarëve që vërehet në këtë roman, do të ishte kryefjalë edhe e romanit “Kështjella”, botuar në vitin 1970. Në këtë rrjedhë, autori u frymëzua edhe për shkrimin e romanit “Krushqit janë të ngrirë”, i cili flet mbi demonstratat e vitit 1981 të shqiptarëve të Kosovës.
Megjithatë, pena e Kadaresë nuk do t’i kursente as kritikat ndaj traditave të shoqërisë, që vihen re në romanin “Kronikë në gur” (1970). Në krijimtarinë e tij letrare, bëri bujë edhe romani alegorik “Nëpunësi i Pallatit të ëndrrave” (1981), dhe veçohet si më i lakuari në tërësinë e veprës së Kadaresë. Në vjeshtën e vitit 1990, Kadare u largua drejt Francës dhe u rikthye në atdhe pas zhvillimeve të para demokratike.
Që prej vitit 1996, shkrimtari shqiptar është anëtar i asociuar (përjetësisht) i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës. Ai është vlerësuar me një sërë çmimesh ndërkombëtare (“Man Booker Prize”, “Princi i Asturias” etj), si i përzgjedhur në radhët e shkrimtarëve botërisht të njohur, sikurse Gabriel Garcia Marquez, Günter Grass dhe Milan Kundera. Deri më tani, veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të botës.
Kadare është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit”, si edhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”.
Kadare është nominuar disa herë si kandidat për të fituar Çmimin Nobel në Letërsi, çmim që jepet nga Akademia Suedeze e Nobelit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



