Vende dhe Udhetime

‘Islands’: Gjirokastra, qyteti unik dhe sharmant

Nga Gazeta Si- Revista e njohur e udhëtimeve “Islands” i ka kushtuar një artikull qytetit të gurtë të Gjirokastrës.

“Shqipëria është një nga destinacionet më të përballueshme në Evropë dhe Gjirokastra nuk bën përjashtim. Ecja nëpër qytet ngjan si një eksplorim i kohës, ndërsa dallon muret e kështjellës nga shekulli i 6-të, xhamitë osmane të viteve 1400 dhe një pazar historik që daton pothuajse prej tre shekuj”, kështu përshkruhet në artikullin e revistës “Islands” Gjirokastra.

Ndër të tjera, revista shton se qyteti shkëmbor i Gjirokastrës është një vend unik, plot me arkitekturë otomane, rrugë me kalldrëm dhe një kështjellë imponuese që pothuajse duket sikur është rritur natyrshëm nga shkëmbinjtë shqiptarë.

Harkat prej guri të kështjellës dhe pamjet e maleve ia vlejnë më shumë se udhëtimit në qytet, shkruan revista, por sapo të hyni brenda, ka edhe dy muze historikë interesantë. Do t’ju kushtojë vetëm rreth 5 dollarë për të vizituar kështjellën dhe rreth 3 dollarë shtesë për të parë muzetë.

“Atje, mund të mësoni gjithçka rreth historisë së qytetit dhe kohës së kështjellës si një burg i tmerrshëm për të burgosurit politikë. Ka edhe disa shtëpi të mrekullueshme prej guri për të vizituar”.

Revista shkruan se kushdo që dëshiron të shëtisë, të provojë të bëjë një shëtitje në Urën e Ali Pashës. Kjo urë e madhe prej guri ishte pjesë e sistemit të ujësjellësit të qytetit, por sot është një shteg që vizitorët mund ta eksplorojnë. Do ecni për rreth gjysmë ore për të arritur atje.

“Kjo është mënyra perfekte për të admiruar peizazhin përreth qytetit. Ka dy shtigje, njëri prej të cilëve shkon poshtë urës dhe tjetri kalon matanë”.

Ka shumë ushqime të reja e të shijshme për të provuar në Gjirokastër, por një meze që nuk duhet ta lini pa provuar është qifqiu, rekomandon ‘Island’.

“Këto toptha orizi kanë një aromë menteje dhe janë një specialitet i qytetit. Duhet gjithashtu të provoni dhallën, të shkumëzuar dhe të kripur. Do të gjeni gjithashtu byrek të mbushur me mish dhe djathëra, mish të pjekur në skarë dhe çaj mali bimor”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë