Nuk është hera e parë që në shënjestër të kërcënimeve të ISIS vendosen aktivitetet ndërkombëtare sportive dhe këtyre kërcënimeve nuk mund t’u shpëtonte as botërori që nis brenda pak javësh në Rusi.
Përmes rrjeteve sociale dhe në Telegram, aplikacionin e komunikimit të përhapur masivisht në Europën Lindore, Azi dhe Rusi, një grup proxhihadist kërcënon me prerje kokash direkt edhe yjet e futbolli.
Në njërin prej posterave shfaqet Kristiano Ronaldo dhe Lionel Mesi, të shtrirë në fushën e vlertë dhe mbi ta dy terroristë të maskuar gati për t’u prerë kokat në stadiumin e mbushur plotë e përplot.
Në një tjetër, poster ilustrohet një terrorist me në sfond stadiumin e përfshirë nga flakët si pasojë e një shpërthimi.
“Fitorja do të jetë e jona! Toka do të lahet me gjakun tuaj”, shkruhet në posterat kërcënues.
Kupa e Botës nis më 14 qershor dhe mbyllet më 15 korrik në stadiumin Luzhniki të Moskës. Autoritetet ruse kanë rritur prej kohësh gatishmërinë dhe si pjesë e masave të sigurisë, në bashkëpunim me FIFA-n kanë vendosur edhe kartën e tifozit.
Me këtë kartë duhet të pajisen online të gjithë personat që kanë prerë bileta për të ndjekur të paktën 1 ndeshje të kompeticionit, në të kundërt nuk do t’u lejohet hyrja në impiant.
Një tjetër masë sigurie është rritja e agjentëve civilë në terren si dhe kontrollet e rrepta për të gjithë shtetasit e huaj që vizitojnë Rusinë në këtë periudhë.
Po ashtu, agjentë besohet se janë infiltruar edhe mes tifozerive të dhunshme për të shmangur kaosin në rrugët e qyteteve të vendit, të ngjashëm me përleshjet që ndodhën në Marsejë të Francës mes tifozëve rusë dhe atyre anglezë.
Kjo nuk është hera e parë që ISIS kërcënon Rusinë, që e fajëson edhe për ndërhyrjen e saj në Siri. Grupi terrorist edhe në të shkuarën ka qarkulluar përmes rrjeteve sociale postera të ngjashëm, ndërsa sulmi i prill të kaluar në Shën Pjetërburg, ku vdiqën 14 persona tregon se asnjëherë këto kërcënime nuk duhen nënvlerësuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.