Numri i dhive në ishullin italian të Alicudi e ka tejkaluar popullsinë njerëzore gjashtë herë dhe autoritetet vendase morën vendimin që dhitë t’u jepen si dhurata të interesuarve.
Kryetari i ishullit italian ka ofruar t’ia japë kafshët kujtdo që dëshiron t’i marrë ato. Riccardo Gullo erdhi me këtë ide pasi një regjistrim i fundit tregoi se numri i dhive në pesë kilometra katrorë të Alicudi, ishullit më të vogël të arkipelagut Eolian, është gjashtë herë më i lartë se numri i njerëzve, që janë 100 gjatë vitit.
Numri i dhive është rritur kaq shpejt vitet e fundit, saqë ato kanë filluar të lëvizin nga vendbanimi i tyre i zakonshëm në majën e ishullit drejt zonës së banuar. Kafshët gradualisht shkaktuan dëme në bimësinë e gjelbër të harlisur si dhe filluan të futeshin nëpër shtëpitë e njerëzve duke i detyruar banorët të kërkonin zgjidhje nga autoritetet.
Alicudi, e cila është dy deri në tre orë me varkë nga Siçilia, ndodhet nën administrimin e ishullit më të madh të Liparit. Nisma “Adopto një dhi” është paraqitur si mënyra më e mirë për të adresuar këtë çështje.
“Ne absolutisht as që duam të mendojmë për vrasjen e kafshëve, prandaj i japim ato. Kushdo mund të bëjë kërkesë për një dhi, nuk duhet të jetë fermer dhe nuk ka kufizim në numër”.
Afati i aplikimit është deri më 10 Prill.
“Tashmë kemi pasur disa telefonata, duke përfshirë një blegtor nga ishulli Vulcano, i cili do të donte të merrte disa dhi sepse, ndër të tjera, prodhon rikota, një djathë që vlerësohet shumë”,-tha Gullo, duke shtuar se do të ishte edhe më e këndshme dhe më njerëzore nëse në mesin e atyre që marrin dhi do të kishte nga ata që dinë t’i zbusin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.