Media Galeri

Ishuj në qiell, ‘çmenduria’ e radhës nga Dubai

Dubai, i njohur për arkitekturën e tij mahnitëse, vazhdon të çudisë botën me projekte të reja të guximshme. Pas ndërtesave ikonike si Burj Khalifa dhe ishujve artificialë “The World”, tani vjen një tjetër projekt inovativ që premton të transformojë horizontin e qytetit.

Projekti i ri, i quajtur “Therme Dubai – Islands in the Sky”, do të ketë një lartësi prej 100 metrash dhe do të përmbajë kopshte botanike të varura, pishina të mbushura me ujëra termale dhe minerale, si dhe hapësira për aktivitete kulturore dhe sociale. Ky projekt vjen nga Therme Group, një zhvillues global i resorteve të mirëqenies.

Ky kompleks modern do të ndërtohet në Parkun Zabeel, pranë Pallatit Mbretëror të Dubait. Sipas njoftimit për shtyp nga Therme Group, ky projekt synon të presë 1,7 milionë vizitorë çdo vit, duke vendosur një standard të ri.

“Dubai është një qytet që e kupton se e ardhmja duhet të ndërtohet me mirëqenien në qendër”, tha themeluesi dhe CEO i Therme Group, Robert Hanea. “Ne po formësojmë mënyrën sesi qytetet mund të integrojnë natyrën, ujin dhe kulturën për të përmirësuar cilësinë e jetës në shkallë të gjerë. Therme Dubai – Islands in the Sky do të jetë një model global për atë që mund të arrihet kur ambicia dhe ekspertiza bashkohen”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë