Libra

“Ishte si një i dërguar i Perëndisë për shqiptarët”… Ilir Ikonomi rrëfen jetën e Fan Nolit në librin ‘Apostulli’

Nga Gazeta Si - Pas Ismail Qemalit, Faik Konicës dhe Esad Toptanit, ish-gazetari i Zërit të Amerikës dhe studiuesi Ilir Ikonomi sjell librin e ri biografik, dedikuar një prej figurave më të njohura shqiptare të gjysmës së parë të shekullit XX, Fan Nolit.

Fan Noli ka qenë në planet e hershme të studiuesit Ilir Ikonomi, pasi sipas tij Noli ndikoi në formimin e shtetit shqiptar. Ikonomi thekson se Noli “ndriçoi shqiptarët e Amerikës, i ndihmoi të themelonin një kishë në gjuhën shqipe dhe më pas loboi fort për të penguar copëtimin e Shqipërisë nga shtetet fqinje”.

“Ai plotëson një kuadër të figurave kryesore, që ndikuan në formimin e shtetit shqiptar në një mënyrë ose në një tjetër: Ismail Qemali me një akt simbolik siç ishte shpallja e pavarësisë; Esat Pasha me mbrojtjen heroike të Shkodrës, ku fatkeqësisht nuk pati ndihmën e asnjërit prej atyre që predikonin me fjalë nacionalizmin; Faik Konica me themelimin e një reviste iluministe si Albania, e cila u tregoi shqiptarëve se ata nuk ishin të pashpresë në formimin e një shteti të ardhshëm të pavarur nga Turqia. Noli, edhe pse i lindur jashtë Shqipërisë, i ndriçoi shqiptarët e Amerikës, i ndihmoi të themelonin një kishë në gjuhën shqipe dhe më pas loboi fort për të penguar copëtimin e Shqipërisë nga shtetet fqinje”, shprehet Ilir Ikonomi për Gazetasi.al.

Ilir Ikonomi gjatë prezantimit të Librit "Apostulli".

Ilir Ikonomi e ka ndërtuar figurën e Fan Nolit në mjedisin ku ai jetonte në Bostonin e fillimshekullit të 20-të. Ai tregon për Gazetasi.al edhe pse vendosi që librin biografik ta titullonte “Apostulli”. 

“Më 8 mars 1908, kur Noli u dorëzua prift nga Kryepeshkopi i kishës ruse në Nju Jork, Platon Rozhdentvenski. Momenti ishte i shenjtë dhe drithërues për shumë nga shqiptarët e pranishëm, sepse më në fund ata do të kishin priftin e tyre që do të jepte meshat në gjuhën shqipe. Dikush prej tyre tha se Noli ishte jo thjesht një prift, por një Apostull, që perëndia u dërgoi shqiptarëve. Mendova se Apostulli e tregon më mirë Nolin në të gjithë veprimtarinë e tij në SHBA nga viti 1906, kur arriti atje, e deri në 1920 kur u largua përkohësisht për në Shqipëri. Me kontributin që dha, ai vërtet ishte si një i dërguar i Perëndisë për shqiptarët”, vijon më tej Ikonomi për Gazetasi.al.

Ikonomi ka përdorur një fond të gjerë të dhënash historike, që përfshin Arkivin Qendror të Shqipërisë, Arkivin Kombëtar Amerikan, Arkivin e Ministrisë së Jashtme Austriake, dhe disa burime të tjera dokumentare. Ilir Ikonomi thotë se procesi i kërkimit të të dhënave nuk ka qenë i vështirë, pasi ka krijuar tashmë një përvojë për të kërkuar nëpër arkiva.

“E di çelësin se si hyhet në to. Di dhe gjuhët kryesore për të lexuar materialet arkivore. Punën kërkimore për Nolin e kam filluar në vitin 2016. Kam fotografuar të gjithë arkivin e Shqipërisë që bën fjalë për Nolin, të gjitha dosjet. Kam fotografuar me dhjetëra libra. Kam krijuar një arkiv timin personal ku ka dhjetëra mijëra faqe për Nolin dhe për figura të tjera. Kam punuar shumë në Bibliotekën e Kongresit Amerikan ku gjendet koleksioni thuajse i plotë i gazetës Dielli, që e mbulon mjaft mirë veprimtarinë e Nolit, muaj pas muaji, javë pas jave. Në Nju Jork kam gjetur koleksionin e plotë të gazetës Kombi (1906-1909)”.

Sipas tij, rrugëtimi i Nolit si figurë poliedrike është jashtëzakonisht i gjatë dhe i komplikuar dhe nuk ka një moment të vetëm “pikant”.

“Ai jetoi 83 vjet, nga 6 janari 1882 deri më 13 mars 1965. Jetoi 18 vjet në Turqi, ku edhe lindi, 44 vjet e 6 muaj në Amerikë, 2 vjet e 5 muaj në disa vende të Europës, 3 vjet e 9 muaj në Shqipëri, 4 vjet e 4 muaj në Gjermani, 2 vjet në Austri. Mund të thuhet se qëndrimi i tij në Shqipëri (1921-1924) ishte shumë i rëndësishëm, sepse këtu ai u bë kryeministër në vitin 1924. E përsëris: I tërë rrugëtimi është tepër i ndërlikuar dhe mjaft i vështirë për t’u ndjekur në kuptimin dokumentar të fjalës. Secila pjesë e këtij rrugëtimi është plot me ngjarje interesante”, vijon më tej ish-gazetari i Zërit të Amerikës.

Duke qenë se Ikonomi në librin biografik jep një përshkrim kronologjik të jetës së Nolit, nuk e ka preokupuar shumë “shkrirja” e fushave ku Noli ka dhënë kontribut.

“Ajo vjen natyrshëm. Mjafton të gjurmosh dhe të gjesh faktet, sepse hedhja e tyre në një material të vetëm nuk është problemi më i madh”.

Në këtë libër të Ikonomit, jeta e Nolit jepet e lidhur ngushtë edhe me sfondin historik të Shqipërisë. Ikonomi thotë për Gazetasi.al se nëpërmjet këtij personazhi lexuesi ka mundësinë të njohë edhe historinë e Shqipërisë.

“Një ndër qëllimet e mia është pikërisht që lexuesit të njohin historinë përmes jetës së një personazhi. Kur historia jepet në trajtë shifrash, vitesh dhe ngjarjesh ajo nuk është shumë tërheqëse. Kur lexohet përmes jetës së dikujt, ngulitet më mirë në mendje. Meqenëse Noli ka qenë i përfshirë ngushtësisht në historinë e Shqipërisë, mendoj se ky libër do t’i bëjë lexuesit të reflektojnë më mirë për të shkuarën e vendit të tyre”.

Në këtë vëllim të parë jepet jeta dhe veprimtaria e Nolit në Amerikë, nga mbërritja e tij në vitin 1906 dhe deri në vitin 1920, kur u nis për në Shqipëri. Por gazetari Ikonomi i premton lexuesit shumë shpejt edhe vëllimin e dytë mbi jetën e Fan Nolit.

“Shpresoj që në vitin 2024 të vij në Shqipëri me vëllimin e dytë, i cili ende nuk ka një titull. Ky do të jetë një vëllim shumë interesant, por unë do ta ndërtoj në mënyrë të tillë që, edhe pa lexuar librin e parë, njerëzit të mund të kuptojnë sfondin historik dhe veprimet e Nolit në atë sfond historik, që përfshin mbi të gjitha vitin 1924, kur ai u vu në krye të disa ngjarjeve të mëdha”, përfundon Ikonomi për Gazetasi.al.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë