Arrestohet në Gjermani Genc Tafili, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga policia shqiptare pas arratisjes nga lirimi me kusht dhe i dënuar për vrasjen e komisarit të policisë, Arben Zylyftari. Ai është vënë në pranga në aeroportin e Frankfurtit, teksa po tentonte të shkonte në Stamboll më 31 dhjetor 2021.
Arrestimi i Tafilit u krye nga autoritet e policisë kufitare Gjermane, pasi rezultoi se emri i tij, ishte në sistem i selektuar me ngjyrë të kuqe, për shkak të një mandat arresti ndërkombëtar të nxjerë nga Prokuroria e Krujës.
Së bashku me të vëllanë, Admir Tafili, i dënuar me burgim të përjetshëm, ai akuzohet për vrasjen e kryepolicit të Shkodrës.
Pak kohë më parë, SPAK rihapi hetimet për këtë çështje, ku Arben Zylyftari mbeti i vrarë në vitin 2000 gjatë shkëmbit të zjarrit në një operacion policor.
Tafili u lirua nga qelia me vendim të gjyqtares së Krujës, Enkelejda Hoxha në 7 nëntor të vitit 2017, pas 17 vitesh në qeli për vrasjen e Zylyftarit. Ai la burgun kur i kishin mbetur edhe tetë vite pa kryer nga dënimi. Pas lirimit, ai u largua nga Shqipëria.
Por, në maj 2021, Gjykata e Apelit në Tiranë rrëzoi vendimin e gjyqtares Enkelejda Hoxha, duke kërkuar rikthimin e tij në burg. Hoxha ndodhet pas hekurave me urdhër të SPAK, me akuzën e përfshirjes në korrupsion për lirimin e të dënuarve pa përmbushur dënimin.
Arben Zylyftari u vra më 2 gusht të vitit 2000, kur Policia e Shkodrës organizoi një operacion për arrestimin e Bahri Tafilit, një peshkatar i zonës, i cili ishte një ndër personat më të kërkuar në atë kohë për vrasjen e Skënder Gecit.
Gjatë operacionit, pati shkëmbim zjarri mes palëve. Për pasojë, mbeti i vrarë Drejtori i Policisë, Arben Zylyftari, si dhe vetë i kërkuari Bahri Tafili. Po atë ditë kur u vra Arben Zylyftari, policia arrestoi Genc Tafilin, duke e akuzuar atë për vrasje në bashkëpunim.
Pritet që në ditët në vijim, Prokuroria e Krujës ti drejtohet me një kërkesë autoriteteve gjermane, për ekstradimin në Shqipëri të Genc Tafilit.
Në lidhje me ngjarjen e ndodhur para 21 vjetësh, ku u vra kreu i Policisë së Shkodrës, familja e Bahri Tafilit akuzoi ish-shefin e Krimeve në atë kohë, Prelë Pjetrushin, i cili kishte organizuar edhe operacionin për kapjen e të kërkuarit. Familja Tafili ka pretenduar se komisari Arben Zylyftari u vra nga dora e Prelë Pjetrushit dhe jo nga armët e Tafilajve.
Ndërkohë, vëllai i Genc Tafilit, Admir Tafili vijon të jetë në burg për disa vepra të tjera të rënda penale. Ai njihet edhe si kreu i grupit të ‘tritolit’, pasi teksa ndodhej në burg, porositi vrasjen e Ibrahim Manit përmes Kristi Pines, një bashkëpunëtor tashmë i drejtësisë.
Në vitin 2010, Admir Tafili, mori leje nga burgu i Shën Kollit për të parë të ëmën e sëmurë dhe në këtë rast arratiset. Në mars të vitit 2011, ai vrau në pritë dy vëllezërit e ish-shefit të Krimeve në Shodër, Prel Pjetrushit në fshatin Grudë të Shkodrës. Muaj më vonë, pas një operacioni të suksesshëm policie Tafili arrestohet në Tiranë.
Dy vite më pas, në vjeshtën e vitit 2013, ndërsa ndodhej në burgun e sigurisë së lartë në Drenovë, Admir Tafili me Fran Marashin, Gëzim Gurin, Artur Goran, Gëzim Tomën, Reiz Haxhirajn dhe Eduard Lulan arratisen, por një ditë më vonë prangosen nga RENEA në Prrenjas. Tashmë ai ndodhet në burgun e Burrelit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.