Ata kërkonin ndihmë, por askush nuk e hapi derën. Polici mundi të dalë duke shpërthyer dritaren dhe në mes të tymit masiv nën tokë aty ku gjenden qelitë e komisariatit të Kamzës, të shoqëruarit dhe të arrestuarit u shpëtuan vetëm kur erdhën forcat zjarrfikëse. Burimet e Gazetës Si përshkruajnë me detaje çfarë ndodhi mbrëmjen e kaluar në ambientet e brendshme policore, pikërisht nën tokë aty ku gjenden katër qeli dhe një kaush. Në qelinë e kthyer në një vatër zjarri po mbaheshin Dilaver Idrizi dhe Arben Mici 26 vjeç. Nën tokë po mbaheshin të shoqëruar edhe dy shtetas të tjerë që ishin shoqëruar, por jo arrestuar, për t’u verifikuar dhe që prisnin të liroheshin. Por si mundën të gjenin çakmak apo shkrepse dy të arrestuarit që nuk ishin dorëzuar në një ambient paraburgimi pranë 313 apo pranë 302, por ishin kthyer pas në komisariatin e Kamzës pikërisht aty ku ata ishin arrestuar nga kjo polici lokale? Të arrestuarit, një përgjegjës i dhomave të shoqërimit urdhëron kontrollimin e tij, lidhëset e këpucëve, shall rripi i pantallonave dhe çdo send i ndaluar nuk lejohet, por i hiqet çdo të shoqëruari dhe aq me tepër të arrestuarit. Ndaj konsiderohet që edhe Mici edhe Dilaver Idrizi nuk kanë pasur asnjë mjet ndezës, pra as çakmak dhe as shkrepëse sepse kur kthehesh nga gjykata, këto qeli janë njësoj si të jesh në burg. “Por zakonisht i arrestuari kërkon nëpër dhomat e shoqërimit dhe të ndalimit kërkon t’i ndizet cigare dhe polici i sigurisë ka raste që ia ndez dhe kjo mund të ketë ndodhur”, aludon një tjetër oficer policie. Por skema është e paqartë, mbasi sipas burimeve shumë të informuara të Gazetës Si flaka i është vendosur batanijes së Micit, i cili është gjetur pas shpërthimit të dhomës së sigurisë është gjendur në banjë në gjendje të rëndë. I asfiksuar gjithashtu ishte edhe Dilaver Idrizi, që të dy të arrestuar për dhunë. Më i riu për dhunën barbare ndaj të ëmës, kurse 61-vjeçari për dhunën ndaj bashkëjetueses.
Dy të arrestuar që nuk u çuan në burg
Por përse këta dy shtetas nuk u dërguan në paraburgim menjëherë mbasi gjatë të shtunës gjyqtari Sokol Pasho urdhëroi masën e arrestit me burg për secilin? Burimet thonë që për shkak se ishte fundjavë dhe duhej ndjekur procedura juridike dhe marrja në dorëzim përmes një juristi të burgjeve, por nga ana tjetër duhej nxjerrë urdhri i ekzekutimit nga prokurori i çështjes, të dy ata janë kthyer pas nga komisariati që i kishte arrestuar. “Kjo ndodh më së shumti nëpër komisariate, ngjan si burokraci. Por të gjitha komisariatet nuk kanë kushte optimale paraburgimi me përjashtim të drejtorisë qendrore të kryeqytetit që i ka kushtet”, shprehet një tjetër oficer. I vetmi komisariat që përfshin kushte për paraburgimin dhe mbajtjen në qeli llogaritet të jetë vetëm komisariati numër 6 i ndërtuar nga fillimi. “Kjo është arsyeja se përse sa herë ka femra të arrestuara ato përcillen urgjent në drejtori mbasi nuk ka ambiente dhe kushte dhe kjo ngjarje me siguri sapo ka hapur një problem që qëndron i fshehur prej nesh, si pyetja e sapo të arrestuarve në zyrat e oficerëve mbasi s’ka ambiente. Kjo ka sjellë incidente që kushtojnë karrierën e policëve si arratisje nga komisariati, por askush nuk tregon se të gjithë ata që arratisen hidhen nga zyrat e oficerëve, ose pretendojnë që janë dhunuar dhe kjo e lë policin pa alibi, duke qenë se çdo i arrestuar duhet pyetur në dhomë pyetjeje dhe me qendër zëri”, komenton një tjetër oficer.
Ngjarja e Kamzës ka dërguar në pranga dy oficerë policie dhe të tjerët po procedohen në gjendje të lirë, njëri ndër ta vijon të mbahet në spital në gjendje të rëndë. Derisa e gjithë ngjarja të sqarohet me prova për agjencinë e mbikëqyrjes policore të gjithë janë nën hetim, përfshi edhe Dilaver Idrizin për të cilin agjencia thotë se ishte bashkëpunëtor me Micin që ndërroi jetë për t’i vënë flakën qelisë. Por nëse kjo ngjarje ishte sipas këtij versioni një krim i llogaritur apo thjesht emocional mbasi viktima vuante nga probleme të shëndetit mendor, do të duhet të merren në pyetje të gjithë, dhe ata ende nuk janë marrë në prani të një avokati dhe të një prokurori.
Zjarri mori menjëherë sepse dyshekët janë sfungjer. 26-vjeçari u mbyll në banjë dhe nëpër tym policët kërkonin dhe nuk e gjenin. Me siguri ka qenë tentativë për vetëvrasje nga 26-vjeçari që ndërroi më pas jetë në spital. Nga këqyrja e Tims rezulton i shoqëruar së paku 20 herë për 3 vjet, ndërkohë që po pyeten policët ‘përse nuk i çuat në drejtori? Ishin të ngarkuar dhe s’na u përgjigjën ka dëshmuar njëri prej tyre’.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.