Nga Gazeta Si – Një fragment i një prej përkthimeve më të vjetra siriane të Ungjillit, që daton në shekullin e 6-të pas Krishtit është zbuluar në Bibliotekën e Vatikanit.
Ai ishte fshehur nën tre shtresa teksti, pasi fleta e pergamenës ishte ripërdorur nga një skrib, siç ishte zakon 1300 vjet më parë. Detajet e gjetjes u botuan në “New Testament Studies”.
Sipas Grigory Kessel, autor i zbulimit, përkthimi është bërë në shekullin e tretë dhe është kopjuar në shekullin e gjashtë. Sipas tij fragmenti i gjetur është versioni i kopjuar.
“Nuk ka dyshim se dorëshkrimi daton jo më vonë se shekulli i gjashtë, ndoshta në gjysmën e parë të shekullit të gjashtë”, nënvizon ai.
Teksti ka të bëjë me kapitullin 12 të Ungjillit sipas Mateut: “Është magjepsëse të vërehet ndryshimi në përdorimin e disa termave në këtë version në krahasim me greqishten origjinale”, komenton Justin Brierley, shkrimtar dhe autor radiofonik që merret me teologjinë dhe në veçanërisht me krishterimin.
Përkthimi i katërt – Deri tani kishim vetëm tre dorëshkrime që përmbanin përkthimin e vjetër sirian të ungjijve: një ruhet në Bibliotekën Britanike në Londër, një në Manastirin e Shën Katerinës në malin Sinai (Egjipt) dhe një është identifikuar së fundmi në Sinai Palimpsests Project. Prandaj, ky fragment është pjesë e një përkthimi të katërt, për të cilin nuk kemi asnjë gjurmë tjetër dhe u identifikua falë fotografisë ultravjollcë, e cila e zbuloi atë midis faqeve të një dorëshkrimi në Bibliotekën e Vatikanit.
Më i vjetër se Codex Sinaiticus – Versioni më i hershëm i këtij përkthimi sirian (ai i shekullit të 3-të), i cili ofron një pasqyrë unike në fazën e parë të historisë së transmetimit me shkrim të ungjijve, i paraprin dorëshkrimeve më të lashta greke, duke përfshirë të famshmin Codex Sinaiticus. Zbulimi gjithashtu thekson rëndësinë që teknologjitë e reja luajnë në zbulimin e dorëshkrimeve të lashta. Nëse nuk do të kishim pasur ndihmën e fotografisë ultravjollcë, fragmenti do të varrosej ende mes pergamenave të Bibliotekës së Vatikanit. /Il Focus/
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




