Sabina Veizaj-Eksperti i ekonomisë dhe financave, Arben Malaj thotë se shqetësimi i njëjtë i ngritur nga shumë organizma ndërkombëtarë për klimën e biznesit në Shqipëri, është një kambanë që bie dhe denoncimi duhet ndjekur me përparësi nga strukturat përkatëse ligjzbatuese.
“Në rast të kundërt vendi mund të përballet me probleme të cilësisë së ulët të investimeve vendase dhe të huaja në ekonomi, kostot e të cilave do të jenë të rënda për taksapaguesit shqiptarë. Pa transparencë dhe konkuruencë ekonomia nuk mund të rritet në mënyrë të shëndetshme dhe të qëndrueshme.”- thekson Malaj.
Për të, Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit mbi klimën e investimeve në Shqipëri, është një mundësi e jashtëzakonshme për ti njohur dhe për tu përballuar me transparencë, me kurajo professionale dhe me përgjegjshmëri publike, me gjetjet dhe rekomandimet e këtij raporti, të cilat përputhen edhe me shqetësimet e vendeve dhe instiucionet e tjera.
“Shqipëria ofron mundësi reale për investime në disa sektorë fitimprurës siç janë energjia, turizmi, furnizmi me ujë, minierat, rrugët, hekurudhat dhe teknologjia e informacionit etj.
Në raport vlerësohet se legjislacioni ynë është mikpritës për investitorët, por theksohet se investitorët nga SHBA pengohen nga korrupsioni i lartë dhe praktikat informale. Situata është më kritike kur në raport theksohet se disa investitorë të mëdhenj amerikanë vitet e fundit kanë lënë vendin tonë për shkak të mosmarrveshjeve në zbatimin e legjislacionit tregtar. Sipas raportit, investitorët amerikanë konkurohen lehtësisht nga investitorë të tjerë edhe për shkak se në Shqipëri kompanitë amerikane nuk mund të bazohen në praktika korruptuese. “-thotë ai duke shtuar se investitorët e huaj perceptojnë se klima e biznesit në vendin tonë vazhdon të jetë problematike dhe kjo e bënë Shqipërinë një vend të vështirë për të bërë biznes. Duke vijuar argumentin, ish ministri sqaron se, “kjo situatë ul investimet e huaja direkte, vonon ristrukturimin e ekonomisë tonë drejt sektorëve më produktivë, ul ritmet e punësimit në tërësi dhe në sektorët e ekonomisë së dijes në veçanti. Mungesa e Investimeve të huaja direkte, rrit defiçitin e llogarisë korrente dhe e ekspozon ekonominë tonë drejt niveleve të larta të defiçiteve strukturore dhe buxhetore.” Z. Malaj pajtohet me shqetësimet që ngrenë investitorët e huaj në raport se: rregullatorët përdorin legjislacionin dhe rregulloret e vështira për t’u interpretuar ose jo konsistente si mjete për të larguar investitorët e huaj dhe për të favorizuar kompanitë e lidhura me politikën.
Për ekspertin Malaj, ky nuk është një konstatim, por ky është një denoncim që duhet ndjekur me përparësi nga strukturat përkatëse ligjzbatuese.
Sipas tij ligjzbatuesit duhet të reflektojnë me përparësi shqetësimet Investitorët e huaj, që theksojnë si faktorë kryesor të pengesave për bzinesin : (i) Mungesën e të drejtave të pronës dhe regjistrimin e saj: (ii) korrupsionin, veçanërisht në gjyqësor; (iii) mungesën e transparencës në prokurimet publike; (iv) zbatimin e dobët të kontratave; (v) ligjet që rregullojnë veprimtarinë e biznesit ndryshojnë shpesh dhe pa konsultime efektive me komunitetin e biznesit; (vi) presion për të punësuar nënkontraktorë të lidhur me politikën: (vii) Përdorimi në rritje i kontratave të partneritetit publik privat (3P) duke ngushtuar konkurrencën; (viii) Analizat e dobëta kosto-përfitim dhe mungesën e ekspertizës teknike në hartimin dhe monitorimin e kontratave 3P janë shqetësime të vazhdueshme që mund të tjellin kosto të rënda buxhetore; (ix) furnizimi me energji elektrike.
Sipas Malaj pa transparencë dhe konkuruencë, ekonomia shqiptare nuk mund të rritet në mënyrë të shëndetshme dhe të qëndrueshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.