Gazeta Si – Një foto e publikuar në rrjetet sociale tregon ish-ministrin e Brendshëm Sajmir Tahiri në burg në shoqëri të personave të dënuar për drogë dhe vepra të ndryshme penale.
Fotografia e publikuar në Fb nga gazetari Flamur Vezaj, shfaq ish-ministrin në shoqëri të Klement Balilit (me bluzë të bardhë), i pagëzuar si “Escobari i Ballkanit” dhe i dënuar për trafik ndërkombëtar droge.
Pas tij, ndodhet Safet Bajri, i arrestuar më herët për akuzat si një prej krerëve të grupeve kriminale në Shkodër, por i liruar me kusht nga burgu i Fierit para disa muajsh.
Vendimi u dha nga gjykata pas kërkesës së avokatëve, të cilët pretenduan se i akuzuari për disa vepra të rënda penale ka kryer pjesën më të madhe të dënimit të dhënë ndaj tij nga drejtësia belge.
Sa i takon personit të tretë në foto, pas Tahirit, nuk dihet se kush është. Pas lirimit të Saimir Tahirit nga burgu, avokati i tij, Maks Haxhia tregoi se një person me precedent të theksuar kriminal, në momentin kur kishte dalë nga burgu, i kishte shprehur keqardhje ish-ministrit që vuante ende dënimin.
“Më vjen turp që dal unë nga burgu dhe rrini ju“, ishin fjalët, sipas avokatit Maks Haxhia, me të cilat ai i ishte drejtuar Saimir Tahirit.
Më pas, u mësua se bëhej fjalë për Safet Bajrin, person i dënuar në trafik droge, me të cilin thuhet se ish-ministri ka ndarë qelinë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




