Drejtësia

Ilir Beqaj në SPAK për 40 minuta, i kthehet hard disku me të dhënat e laptopit të sekuestruar

Gazeta Si – Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ka dëshmuar mëngjesin e kësaj të premteje për rreth 40 minuta në SPAK për çështjen e “Sterilizimit”.

Pas daljes nga Prokuroria e Posaçme, Beqaj bëri të ditur se i është dorëzuar edhe hard-disku me të dhënat e laptopit të tij të sekuestruar më 28 dhjetor në shtëpinë e tij.

“Sot ishte dita për detyrim për paraqitje. Po ashtu mora edhe hard diskun me të dhënat e laptopit tim të sekuestuar në 28 dhjetor në shtëpinë time”, u shpreh Beqaj.

Ish-ministri po hetohet nën masë sigurie “detyrim paraqitje dhe ndalim i daljes jashtë shtetit” për shpërdorim detyre dhe shkelje e barazisë së pjesmarrësve në tendera apo ankande publike, vepra penale të kryera në bashkëpunim.

Vendimi i firmosur nga gjyqtari Erjon Bani erdhi pas hetimit për çështjen e sterilizimit dhe u mor në 16 nëntori 2023. Që atëherë, Beqaj është paraqitur çdo të premte para Policisë Gjyqësore.

Masa ndaj Beqajt, erdhi pasi Gjykata e Posaçme, i sugjeroi prokurorisë të shtrinte hetimet për koncesionin e sterilizimit edhe mbi përgjegjësitë e 6 personave të tjerë, duke përfshirë ish-ministrin e Shëndetësisë, ish-ministrin e Financave, Shkëlqim Cani si dhe për katër komisionerë të prokurimeve.

Ndërsa ish-ministri zbaton masën që ka dhënë SPAK, një hetim paralel ka nisur për të, për dyshimet që kanë të bëjnë me fondet e huaja, koordinuar nga SASPAC, Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, ku Beqaj ka qenë drejtor. SPAK dyshon se Beqaj ka kryer veprat e shpërdorit të detyrës dhe korrupsionit.

Mirëpo, nuk ka regjistruar ende një procedim. Struktura e Posaçme ka ushtruar kontroll në banesën e Beqajt dhe i është sekuestruar kompjuteri, celulari dhe dokumente të tjera. Kontrolle janë ushtruar edhe në banesat e anëtarëve të tjerë të SASPAC. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë