Që prej 5 nëntorit, ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj nuk kishte mbajtur asnjë status apo deklaratë në rrjetet e sociale.
Sot, Xhafaj me anë të një postimi në Twitter është rikthyer sërish te misioni që ka pasur më parë, te Reforma në Drejtësi.
Për ish-ministrin sot është dita kryesore e Reformës në Drejtësi. “Sot e nesër hapa kyç për Reformën në Drejtësi. Mbledhjet e prokurorëve dhe gjyqtarëve do të zgjedhin anëtarët e KLP&KLGJ. Nëse Vettingu i gjyqtarëve e prokurorëve synon mbylljen e një kapitulli të errët, krijimi i KLGJ&KLP është hapi i parë e themelor për ngritjen e sistemit të ri”, shkruan Xhafaj.
Më tej njeriu që njihej se personi që ideoi këtë reformë, shkruan se ajo nuk do të ndalet dhe se me zgjedhjen e organeve të reja do t’i jepet udhë formimit të institucioneve të reja.
“Gjyqtarët e prokurorët me transparencë e përgjegjësi qytetare, zotësi profesionale e vlera morale do të jenë kontribuues të procesit, pa mëdyshje. Është përgjegjësi për konsolidimin e shtetit të së drejtës, interesin e qytetarëve, ngritja sa më shpejt e funksionimi i KLGJ&KLP.
Shumë shpejt KLGJ dhe KLP do të ngrihen për t’i dhënë udhë procesit reformues të institucioneve, për t’u dhënë atyre pavarësinë, përgjegjshmërinë, funksionalitetin dhe eficencën e munguar. Reforma në drejtësi nuk mund të ndalet më nga askush. Ajo është jetike për të ardhmen e vendit, për demokracinë e shtetin e së drejtës, luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit e pandëshkueshmërisë”, shkruan më tej Xhafaj.
Xhafaj tre vite më parë ishte kryetari i komisionit të posaçëm në Reformën në Drejtësi. Ai udhëhoqi mandatin e parë të qeverisjes socialiste të gjithë procesin e reformës që u konkretizua në maj të vitit 2016 me ndryshimin e Kushtetutës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




