Gazeta Si - Ish-ministri i Drejtësisë Aldo Bumçi, ka përgënjeshtruar përfshirjen e tij në çështjen e "Gërdecit", ku nga shpërthimi i uzinës humbën jetën 26 persona 14 vjet më parë.
I thirrur për herë të parë nga SPAK si person që ka dijeni, ai u ndal gjatë tek një shkresë që hodhi dyshime mbi të, në anë të së cilës ishte shkruar emri i Shkëlzen Berishës, djali i ish-kryeministrit Berisha në atë kohë.
Bumçi mohoi që shënimi të ishte i vërtetë dhe hodhi akuza se ajo është falsifikuar, pasi shkrimi i dorës nuk është i tij.
Duke kërkuar një hetim të kaligrafisë në këtë rast, ish-ministri u shpreh se kronologjia e ngjarjes nuk përputhet me dokumentet.
“Jam thirrur si person që kam dijeni kam qenë ministër drejtësie në kohën që janë miratuar VKM-të. Patjetër që pyetën, unë po them publikisht: qëndrimet e ministrisë së Drejtësisë dhe të miat si ministër, janë të dokumentuara në qëndrimet publike që kemi mbajtur atë kohë, - tha Bumçi për mediat. - Vendimi i propozuar nga Ministria e Mbrojtjes nuk miratohet, vendosen kontakte mes dy ministrive që ato të merrnin parasysh vërejtjet ligjore që kishin. Kjo pasqyrohet në qëndrimin zyrtar që ne i dërgojmë Ministrisë së Mbrojtjes, që ne nuk kemi vërejtje”.
Ish-ministri mohon: Ka shkresa të falsifikuara
Sipas Bumçit, përgjigja e dërguar nga dikasteri që drejtonte është e saktë, pasi përmban datë me numër protokolli.
“Pasi i kemi çuar qëndrimin tonë zyrtar, del një shkresë që ka një shënim në anë për zotin Shkëlzen Berisha. Kjo shkresë është e falsifikuar dhe nuk i qëndron asnjë testi logjik. Ministria e Mbrojtjes e kishte përgjigjen tonë para shkresës. Nëse unë kisha nevojë, që nuk kishte as takim e as kërkesë, nga Shkëlzen Berisha, ju mendoni se do e bëja me fax në ministrinë e Mbrojtjes për Shkëlzen Berishën! Ministria i kishte shkresat dhe e dyta, unë nuk kam nevojë që të komunikoj me zotin Berisha për t’i thënë që nuk kisha vërejtje”.
Sipas Bumçit, “shënimi në cepin e shkresës për zotin Shkëlzen Berisha. Ministri i Drejtësisë si çdo ministër tjetër, lë shënime në qindra dhe mijëra shkresa në dorë për vartësit e tij, punonjësit, të shqyrtohet, trajtohet. Këto shënime të mia janë në shkresat e ministrisë që unë kam shërbyer. Çdo njeri ka shkrimin e tij të dorës. Nuk ishte as imitim i shkrimit tim. Ishte qartësisht një shkrim tjetër”, u shpreh ai.
Bumçi tha se nuk i druhet një përgjegjësie penale. “Nuk i druhem dhe nuk ka asgjë për të pasur. Po sqaroj publikisht dhe njëherë që kjo çështje nuk qëndron nga përmbajtja, kronologjia, komunikimi, falsifikimi dhe kjo çështje u kthye para fushatës së vitit 2009 dhe shikoj që përdorimi vazhdon të jetë i njëjtë”, u shpreh ai.
Ish-ministri, aktualisht anëtar i Kryesisë së PD, këmbënguli se kjo çështje po përdoret politikisht për të goditur zotin Berisha.
Çfarë ishte shkresa?
Një shkrim i zakonshëm dore, mbi një shkresë zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë, duket se është filli i një sërë procedurash për ndërtimin e fabrikës së vdekjes në Gërdec.
Dokumenti i shumëpërfolur prej mëse tre muajsh në qarqet politike të Tiranës dhe në Kuvendin e Shqipërisë, dyshohet se është një faks i nisur nga zyra e ish-ministrit Aldo Bumçi dhe që mban shënimin: “për Shkëlzen Berishën” në anë të letrës.
Dokumenti i firmosur nga Bumçi asokohe, dyshohet se miratonte lëvizjen ligjore për të përligjur demontimin e armëve në Gërdec dhe i drejtohej ministrit të Mbrojtjes së asaj kohe, Fatmir Mediu.
Rihapja e hetimeve
Për çështjen “Gërdeci” hetimet u rihapën pas kërkesës së prokurorisë për ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu.
Në fund të vitit të shkuar Gjykata e Lartë rrëzoi rekursin e ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu kundër vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit që pranoi kërkesën e SPAK për rihapje të hetimeve për dosjen “Gërdeci”.
Çështja ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes u rihap pasi ZamiraDurdaj, e cila humbi të birin në ngjarjen e Gërdecit, e kallëzoi atë në SPAK.
Fillimisht Shkalla e Parë e Gjykatës së Posaçme e rrëzoi kërkesën e SPAK-ut për ta rigjykuar Mediun, me argumentin se kanë kaluar të gjitha afatet ligjore për rishqyrtimin e çështjes dhe se nuk ka prova të reja.
Gjykata pati arsyetuar se mungesa e imunitetit të Mediut, sidomos pas vitit 2019, nuk e ka penguar prokurorinë të nisë procedurat.
Në shpërthimin e madh që ndodhi në fabrikën e demontimit në Gërdec, më 15 mars të 2008 humbën jetën 26 persona dhe u plagosën mbi 300 të tjerë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.