Gazeta Si - Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja është marrë i pandehur nga GJKKO dhe çështja ka kaluar për gjykim.
Dedja do të gjykohet për deklarim të rremë dhe fshehje pasurie, ku bëhet fjalë për dy apartamente dhe një garazh në pronësi të Dedjes.
Gjyqtari Erjon Bani, ka pranuar kërkesën e SPAK, duke kaluar për gjykim çështjen.
LEXO EDHE:
- KPA shkarkon kryetarin e Gjykatës Kushtetueses, Bashkim Dedja
- Shkrihet Gjykata Kushtetuese. Ikën Dedja, “mohikani” i fundit
Disa javë më parë, GJKKO e riktheu edhe njëherë çështjen në SPAK për të bërë plotësimin e hetimeve. Ndaj tij, SPAK ngriti akuzën e fshehjes të të ardhurave dhe deklarimit të rremë.
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi në prill sekuestrimin pasurive të tij dhe ish-gjyqtarit Fatos Lulo.
SPAK zbuloi nga hetimi penal, të dhëna që ish gjyqtarët kishin në pronësi pasuri të paluajtshme, të cilat nuk i justifikonin me burime të ligjshme, apo pasuri që i kanë fshehur.
Dedja u shkarkua nga KPA në dhjetor 2019 me arsyetimin se kishte pronësi më të madhe sesa mund ta justifikonte, si edhe mungesë burimesh financiare.
Ish-kryegjykatësi i Kushtetueses, e kaloi me sukses testin e Vettingut në shkallën e parë më 13 qershor.
Por, vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit u ankimua nga Komisioneri Publik pas kërkesës së ndërkombëtarëve.
Bashkim Dedja ka një karrierë të gjatë juridike. Ka punuar si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë nga viti 1993-1996 dhe më pas deri në vitin 1998 si gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranë.
Prej vitit 1998-2010 ka ushtruar detyrën e gjyqtarit në Gjykatën e Apelit Durrës.
Aktualisht, është pedagog i jashtëm pranë Fakultetit të Drejtësisë së Universitetit të Tiranës në të drejtën penale dhe në Shkollën e Magjistraturës në lëndën “Shkrimi dhe arsyetimi ligjor”, si dhe është ekspert i trajnimit vazhdues.
Në muajin maj të vitit 2010 u emërua anëtar i Gjykatës Kushtetuese.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.