Gazeta Si – Apeli i GJKKO-së ka shtyrë për nesër nër orën 09:00 (e enjte, 24 janar) ankimimin e Sali Berishës, i cili kërkon heqjen e masës së arrestit në shtëpi, pasi është nën hetim për aferën e privatizimit të klubit sportiv “Partizani”.
Avokatët e tij Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi, kërkojnë një masë më të butë për ish-kryeministrin që akuzohet për korrupsion pasiv
Po ashtu, avokatët e ish-kryeministrit, kanë kërkuar edhe përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga dosja “Partizani”.
Kërkesat e ish-kryeministrit do të shqyrtohet nga gjyqtarja, Ilirjana Olldashi, e cila zbuti masën e sigurisë nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie” për dhëndrin e Berishës, Jamarbër Malltezi.
Avokati i ish-kryeministrit, Genc Gjokutaj, e konsideron një shkelje të rëndë mosadministrimin e kërkesës për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka.
“Një qëndrim variabël të tyre, presim vendimin, vendimin për të mos e administruar sot për përjashtimin e irena Gjokës është shkelje e rëndë e Apelit, çështja nuk mund të gjykohet me objektivitet nëse nuk administrohen provat, faktet, vendimet që kanë lidhje me vlefshmërinë e shkallës së parë. Mungesa e gjykatës i bën prokurorët si të shkojnë në një bar kafe”, tha Gjokutaj pas shtyrjes së vendimit të Apelit të GJKKO-së.
Një ditë më parë, ish-kryeministri Berisha hyri në Prokurorinë e Posaçme për herë të parë dhe u pyet si person nën hetim për akuzën e korrupsionit në lidhje me këtë aferë.
Prej 30 dhjetorit ish-kryeministri qëndron me masë sigurie, teksa ditën e sotme kërkon një masë më të butë.
Më herët, ai ka kërkuar nga SPAK dhe që të lejohet që të ndjekë seancat plenare të Kuvendit, gjë e cila i është refuzuar.
Berisha tha për mediat se do të shkojë në institucionet e drejtësisë sa herë që të thirret, ndërsa hodhi akuza ndaj SPAK.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



