Drejtësia

Ish-kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla lirohet nga qelia pas dënimit për korrupsion dhe abuzim me tenderët

Gazeta Si - Ish-kryetari i Bashkisë së Bulqizës, Lefter Alla, është liruar nga qelia këtë të diel, pasi ka përfunduar dënimin me 2 vite burg.

Alla u dënua nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera.

Lefter Alla u dënua gjithashtu që për 5 vite nuk duhet të ushtrojë funksione publike. Ish-kreu i Bashkisë Bulqizë rezultoi fajtor pasi favorizoi të afërmin e tij, Aqif Konesha, duke i dhënë tenderin me vlerë 3 milionë Euro. Konesha, u dënua përfundimisht me 1.4 vite burg pasi përfitoi nga gjykimi i shkurtuar.

Edhe më herët në janar të vitit 2020, ai u hetua për mbajtje dhe prodhim droge pas publikimit të një videoje, ku pretendohej se ishte duke konsumuar drogë.

Këto hetime u pushuan nga prokuroria, pasi pas analizave nuk doli përdorues dhe ekspertët që vëzhguan videon dolën në konkluzionin se filmimi nuk është marrë drejtpërdrejt nga pajisja regjistruese, por është regjistruar me aparat celular nga ekrani i një kompjuteri, ndaj për këtë arsye, nuk mund të përcaktohej qartë data dhe ora reale e regjistrimit, si dhe nuk mund të identifikohen personat që shfaqen në të.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë