Gazeta Si – Ish-drejtori i Policisë së Shkodrës, Edmond Sulaj ka paditur për shpifje deputetin e Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.
Shorti ka përcaktuar gjyqtaren Flojera Davidhi për të shqyrtuar padinë e ish-kryepolicit të Shkodrës.
Objekti i padisë është “fyerja botërisht, në dëm të disa personave, ose më shumë se një herë”.
Kreu i grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi, nga foltorja e Kuvendit dy muaj më parë, nxori disa përgjime sipas tij, nga platforma SKY ECC duke ngritur akuza të forta.
Sipas Bardhit, komunikimet në fjalë “treguan se kush e ka zgjedhur kreun e Policisë së Shkodrës”, duke akuzuar se kreu i policisë së Shkodrës ishte zgjedhur nga bandat.
“Si ta quajnë drejtorin e policisë së Shkodrës, e di emrin? Ta them unë kush ta ka emëruar. Kodi pin i Sky ECC, DGLXJM: O vëlla, ka llafe për atë mikun tënd ministër të Brendshëm. Di gjë ti? Përgjigjet kodi sky 7142D9: Po por kam frikë se nuk e bën. Ndërhyn prapë kodi DGLXJM: Mua Mondi më duhet një dimër aty vëlla. Në fakt Mondi është drejtori aktual i policisë Shkodër që u emërua një muaj pasi ky miku i ministrit të Brendshëm është përfaqësues i një prej bandave më të rrezikshme në vend u bë ministër i Brendshëm”, tha Bardhi.
Kësaj deklarate, Edmond Sulaj iu përgjigj duke e cilësuar shpifje që synonin të cenonin figurën e tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.