Mentor Kasa – Lajmi i fitores së shqiptarëve në Tuz të Malit të Zi gëzoi plot zemra. Ata që u gëzuan më shumë ishin vetë banorët e kësaj komune të vogël në zonën e Malësisë, por festime pati edhe në diasporë e urimet vërshuan nga Tirana, Prishtina, Tetova dhe Presheva.
E përbashkëta e urimeve të politikanëve shqiptarë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Preshevë ishte përcjellja e mesazhit se “uniteti sjell fitoren”, duke iu referuar faktit që para këtyre zgjedhjeve, partitë politike shqiptare në Mal të Zi sheshuan mosmarrëveshjet dhe dolën me një kandidat e listë të përbashkët këshilltarësh.
Tuzi ishte një fitore simbolike dhe një ngushëllim sado i vogël i padrejtësive të mëdha që shqiptarët e këtyre anëve kanë pësuar ndër vite. Por, ironia që shoqëron të gjitha urimet është e madhe. Pikërisht “uniteti” mes politikanëve shqiptarë është ai që mungon më së shumti si në Tiranë, ashtu edhe në Prishtinë, Tetovë dhe Preshevë.
Tirana majtas e djathtas përgëzonte lënien menjanë të mërive politike të partive shqiptare në Mal të Zi dhe bashkimin e tyre në “Forumin Shqiptar” për këto zgjedhje, Prishtina e Tetova po ashtu, që të gjitha sipas fjalës së urtë popullore, “bëj si të them unë, por jo si bëj unë”. Po ashtu edhe politikanët e Preshevës ne Jug të Serbisë.
Përveç Malit të Zi, shqiptarët sot në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Preshevë janë më të përçarë se kurrë dhe fajin për këtë e ka ekskluzivisht politika. Në Tiranë, ku logjikisht gjërat duhet të ishin më të thjeshta dhe më të lehta për politikanët që të bashkoheshin, situata duket më e koklavitur se kudo. Opozita ka dalë nga Parlamenti, mazhoranca vijon të bëjë sikur asgjë s’ka ndodhur dhe thirrjet për dialog e unitet, përveçse kur mbërrijnë nga ndërkombëtarët, janë të vakta.
Sfidat e Tiranës në letër duken më të lehta se ato të shqiptarëve në Prishtinë e tetovë, por politika është kujdesur ndër vite që përpjekjet për tejkalimin e tyre të jenë të stërmundueshme. Integrimi në Bashkimin Europian është e vetmja temë që bashkon udhëheqësit në Shqipëri, por ata kanë ndasi të thella për rrugën që duhet ndjekur për realizimin e tij.
Edhe në Prishtinë panorama nuk është aq e qetë. Ndryshe nga Tirana, këtu faktorët janë të jashtëm dhe lidhen me bisedimet me Serbinë. Përplasjet nuk mungojnë, por ato nuk kanë degraduar në protesta të dhunshme e mosnjohje Kuvendi. Temat më të nxehta mbeten dy: çështja e kufirit me Serbinë dhe taksa ndaj mallrave serbe.
Të dyja këto çështje, që si rregull do të duhej të prodhonin e forconin unitetin mes klasës politike, duket se kanë patur efekt të kundërt. Përplasja e madhe, që hera-herës shpërfaqet me deklarata publike është ajo mes Hashim Thaçit dhe Ramush Haradinajt. Të tjerët, nën presionin e qytetarëve që mbështesin taksën dhe mosndryshimin e kufijve i japin të drejtë Haradinajt, por nën presionin e ndërkombëtarëve refuzojnë që ta mbështesin hapur atë. Përjashtim bën vetëm Lëvizja Vetëvendosje, që është kundër heqjes së taksës, por ka jo pak vërejtje për mënyrën sesi po qeveris Haradinaj dhe koalicioni i tij me PDK-në. LDK në anën tjetër duket se ditët e fundit po lëkundet pas presionit amerikan.
Në Maqedoni gjërat duken më pozitive, megjithëse ndasitë nuk mungojnë. Shqiptarët e bashkuar nga “Platforma e Tiranës” dolën të bashkuar në zgjedhjet e fundit, por ndarja e “hiseve” të pushtetit me Zoran Zaev i përçau sërish. Lëvizja “Besa” dhe LR-PDSH e Zijadin Selës dolën në opozitë dhe “molla” e radhës e sherrit ishte emri i kandidatit për President. BDI mbështeti Pendarovskin si propozim të LSDM-së maqedonase, ndërsa dy partitë e tjera shqiptare mbeshtesin kandidatin shqiptar të pavarur, edhe pse e dinë mirë që mundësitë për të fituar janë zero.
Kjo është panorama në dy shtetet shqiptare dhe në shtetin e tretë ku shqiptarët janë shtetformues.
Ndërkohë edhe në Luginën e Preshevës, liderët politikë shqiptarë janë më të ndarë se kurrë. Disa herë kanë ardhur bashkarisht në Tiranë dhe kanë firmosur marrëveshje politike për të dalë bashkë në zgjedhjet që janë mbajtur në Serbi. Por më të mbërritur në Luginë, e kanë grisur paktin dhe kanë dalë në zgjedhje të përçarë, gjë që ka ndikuar në përfaqësimin e tyre në parlamentin e Serbisë.
Askund përveç Tuzit nuk reflektohet bashkim, por reflektohen fort përplasje e sherrnaja që dobi u sjellin vetëm interesave të ngushta të politikanëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




