Gazeta Si – Në Iran, një tjetër studente u vra gjatë protestave që mbahen prej javësh në vend. Ajo është një studente doktorature 35-vjeçare, Nasrin Ghadri, e cila studionte për filozofi në Teheran: gruaja vdiq të shtunën pasi u rrah me shkop nga forcat e sigurisë.
Të indinjuar nga vdekja e gruas, me origjinë nga Marivani, shumë njerëz dolën në rrugë pikërisht në qytetin e Kurdistanit, duke kënduar “Vdekje Khameneit”.
Protestuesit bllokuan disa rrugë. Sipas dëshmive të mbledhura në disa video të shpërndara në rrjetet sociale, policia përdori grushtin e fortë duke qëlluar mbi demonstruesit dhe duke plagosur disa persona.
Nasrin Ghadri shkoi në koma dhe më pas vdiq, pasi u godit në kokë. Të njëjtin fat kishte pasur edhe Mahsa Amini, gruaja kurde 22-vjeçare që vdiq në shtator nga goditjet në kokë nga policia morale gjatë arrestimit të saj për mosmbajtjen e duhur të mbulesës islame.
Vdekja e saj shkaktoi një valë të paprecedentë protestash, si ajo e së premtes në të cilën mori pjesë Nasrin.
Protestuesit akuzuan qeverinë se e detyroi me nxitim varrimin e gruas të dielën në mëngjes dhe gjithashtu se kishte detyruar të atin të shpallte se shkaku i vdekjes së vajzës së tij lidhej me një “sëmundje”, version i ngjashëm me atë miratuar nga autoritetet për rastin e Mahsa Amini.
Që nga fillimi i protestave për vdekjen e Mahsa Aminit, ka pasur më shumë se 250 të vdekur, duke përfshirë 32 fëmijë, dhe më shumë se 12,500 të arrestuar sipas agjencisë së lajmeve “Hrana”.
Një situatë dramatike që mund të përkeqësohet nëse, siç kërkohet dje nga shumica dërrmuese e 290 deputetëve iranianë, të zbatohet ligji i hakmarrjes kundër “moharebit” (armiqve të Zotit) që janë “ata që kanë nxitur revoltat, duke përfshirë disa politikanë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.