Sport

IOC: Atletët olimpikë të kenë përparësi në vaksinat anticovid

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) u ka kërkuar vendeve që përparësi në vaksinimin e popullsisë të kenë sportistët që do të marrin pjesë në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”. Lajmin e konfirmoi kanadezi Dick Pound, një prej anëtarëve të bordit drejtues të IOC, që tha se sportistët duhet të kenë përparësi në procesin e vaksinimit, në të gjithë botën.

“Tashmë që kemi një vaksinë anti-Covid të miratuar dhe që po aplikohet në shumë shtete të botës, duhet kuptuar se në listën e grupeve me përparësi të jenë edhe sportistët. Sidomos ata që do të shkojnë në Olimpiadë.

Ne kemi një event të rëndësishëm përpara, si Olimpiada dhe duhet të bëjmë gjithçka që ai të zhvillohet normalisht”, – tha Dick Pound.

Shtyrja e Lojërave Olimpike “Tokio 2020” për verën e vitit 2021, si pasojë e pandemisë Covid-19, i ka kushtuar organizatorëve 1.6 miliardë euro. Kjo shifër u konfirmua nga komiteti organizator i Olimpiadës.

Një shumë marramendëse, që ka vënë në jo pak në krizë Japoninë, që shpresonte të dilte me fitimin nga ky event sportiv. Për këtë arsye, komiteti organizator i Olimpiadës shpreson që brenda dhjetorit të gjejë një marrëveshje në lidhje me atë se cilat do të jenë kompetencat e trashëgimisë si dhe gjetjen e fondeve shtesë për emergjencën shëndetësore që do të aplikohet verën e ardhshme.

Për të ulur sadopak shpenzimet shtesë, komiteti organizator po mendon të thjeshtësojë ceremoninë e hapjes, që ka një kosto relativisht të lartë. Ulje shpenzimesh do të ketë edhe shërbimi dedikuar stafeve të sportistëve që do të jenë në Olimpiadë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë