Portofol

Inxhinierja e drurit që nisi biznesin e varkave artizanale me 3000 euro

Me një kapital minimal prej 3 mijë euro, para të ruajtura duke përgjysmuar rrogën e punës së përditshme, ajo sot po realizon ëndrrën e saj.

Prej një viti e gjysmë ka nisur të ndërtojë varka prej druri artizanale nën brandin 'Life on boat'.

Inxhiniere Genta Ahmeti

Genta Ahmeti është e vetmja vajzë në Shqipëri që ndërton varka me dorë në dru, por kjo është vetëm faza fillestare e një projekti të madh që prej 10 vitesh qëndron në kokën e saj.

Projekt me të cilin miqtë e Gentës kanë qeshur përherë duke menduar se bën pjesë në kategorinë e ëndrrave që nuk realizohen kurrë.

“Kur kam qenë e vogël edhe unë si gjithë fëmijët i kam bërë varkat me letër, por ndonjëherë edhe me lëvozhga arre. I mbushja me tul buke dhe fletat e brendshme të arrave i bëja vela”- nis të rrëfejë Genta ndërsa rreh ujin e liqenit artificial të Tiranës me lopatat prej druri.

Bisedën jemi duke e zhvilluar mbi një prej varkave të prodhuara prej saj.

Ka rreth një muaj që Genta me ekipin po testojnë interesin e njerëzve për sportin e lundrimit. Në molin e vogël të Liqenit Artificial të Tiranës çdo fundjavë sheh të ankoruara disa barka dhe njerëz që presin në radhë për të shëtitur.

Gentën e kam takuar gati një vit e gjysmë më parë. Isha një prej njerëzve që mora premtimin se brenda dy viteve projekti i saj i madh i ndarë në tre faza do të merrte jetë.

Faza e parë e projektit ishte ndërtimi i varkave, faza e dytë; ndërtimi i Muzeut të parë e të vetëm Naval në Shqipëri dhe faza e tretë ngritja e Shkollës Navale për kurse lundrimi të moshave të ndryshme.

Ndërsa ne bisedojmë mes liqenit, rreth e rrotull nesh vozisin të kënaqur  turistë të huaj dhe qytetarë shqiptarë që shëtisin çdo ditë këndej pari.

“Dashurinë për drurin dhe detin e kam të trashëguar nga babi. Im at është inxhinier dhe ka punuar në kantierin e Durrësit. Dhuratat e para që më kanë bërë kanë qenë çekiçi, gozhdët, dadot, bulonat. Më tërhiqnin më shumë se të kisha një kukull në dorë. Aty nisën eksperimentet e para për mua. Fillova të luaja me drurin. Njëkohësisht kisha edhe një dashuri të madhe për detin, ujin. Mami nga Durrësi, babi nga Tirana, u takuan dhe u dashuruan në kantier. Kam përshtypjen se atje jam planifikuar dhe formuar edhe unë si çdo projekt inxhinierik (qesh). Ndërtimi i varkave prej druri u ngjiz si një ëndërr që bënte bashkë dy dashuritë e mia; drurin dhe ujin”- tregon Genta tek i biem liqenit kryq e tërthor.

Ne punishten e saj "Artisanal" me babain dhe mbesen 11 vjec

Genta është diplomuar dhjetë vite më parë në Fakultetin e Inxhinierisë Pyjore, dega Përpunim Druri,  në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Ajo është specializuar në ndërtimin e mjeteve detare prej druri që nga varkat deri tek jahtet. Duke mos gjetur terren për të ushtruar profesionin, në këto vite ajo ka bërë punë nga më të ndryshmet.

“Mund të punoja veç në mobileri dhe si femër isha e paragjykuar, maksimumi do shisja. Por unë nuk doja të shisja. Unë dua të bëj.”- thotë Genta

Prandaj vendosi ti përkushtohej fushës së turizmit që e detyronte të ishte një pjesë të madhe të kohës jashtë Shqipërisë, nëpër botë duke fituar eksperiencë e duke u frymëzuar. Njëkohësisht ajo ka ndjekur kurse, trajnime në lidhje me objektivin e saj.

Prodhimin e varkave ajo nuk e konsideron punë. Sipas saj është pasion, dëshirë, dashuri.. “Gjithçka mund t’a quash, por vetëm punë jo. Për mua është lojë. Është e bukur kur e mendon kështu.”- shpjegon ajo. Ky sipas saj është sekreti që puna e cila rrjedh nga pasioni të jetë jetëgjatë dhe të vijojë të bëhet me të njëjtën dashuri.

“Ka kaluar një vit e gjysmë nga starti ynë dhe ne jemi sot me gjashtë modele të prodhuara varkash ku një prej tyre është skaf klasik druri me motorr. Jemi duke luftuar për të shtuar gamën tonë, ndërkohë jemi në proces pune për të ngritur mini muzeun pranë punishtes. Aktualisht varkat i ndërtojmë unë dhe im at në punishten tonë “Artisanal” që ndodhet në Prush, në periferi të Tiranës. Stafi është i vogël, por ne në stafin tonë kemi edhe fëmijë të vegjël nga 5 , 11 , 14 vjeç nipër e mbesa. Ata po mësojnë të lundrojnë e të punojnë me dru. Them staf se në një të ardhme do të jenë partnerët e mi në punë, në atë që ne duam të bëjmë për të krijuar shkollën navale.”- tregon Genta.

Procesi i bërjes së një varke kërkon kohë. Çdo varkë ka kërkesat e veta. Nis me zbërthimin e projektit, bëhen shabllonet (maketet), korrigjohet deri në bërjen e formës perfekte. Pastaj nis ndërtimi artizanal me dru. Përpara se ti jepet klientit apo varka të futet përgjithmonë në ujë bëhen testet inxhinierike.

Maketet bëhen nga inxhinier Luan Shabani. Ai ka një galeri të vogël private pranë banesës së tij tek 21 dhjetori.

“Kërkesa nuk është e lartë për varka. Kemi prodhuar 8 të tilla deri tani. Një pjesë e tyre ka qenë dekorative. Të gjitha me standarte të plota lundrimi, por klientët i kanë blerë për dekor restoranti. Ne nuk paragjykojmë dëshirat e klientëve tanë. Kemi ndërtuar varka për peshkim dhe një motoskaf klasik druri shumë shpejt do t’a shihni në liqenin e Belshit e në ujëra të tjera shqiptare. Ne e quajmë Riva shqiptare. Synimi i mëtejshëm është jahti klasik”- thotë inxhiniere Genta.

Ajo mendon se ecuria e biznesit të saj varet nga rizgjimi tek shqiptarët i dëshirës për të lundruar dhe edukimi i fëmijëve për sportin e lundrimit.

“ Ne kemi vendosur të testojmë interesin e publikut. Ti afrojmë ata duke promovuar dhe bërë të njohur punën tonë. Rreth një muaj ne po ofrojmë falas shëtitje me varaka në Loiqenin Artificial të Tiranës. Njerëzit kanë interes, kryesisht fëmijët dhe të rinjtë. Turistët e huaj e kanë përqafuar shumë nismën tonë. Unë lumturohem shumë kur dëgjoj nga fëmojët: T’a provoj dhe unë të hipi në varkë. Më shumë se lodhja e punës dhe çmimi, kënaqësia që sheh në fytyrat e njerëzve dhe interesimi i tyre për punën time, është tepër i madh”- tregon Genta duke shtuar se “me stafin e vogël duam të realizojmë disa regata në liqenin e Tiranës . Njerëzit e pëlqejnë, do ishte atraktive.”

Përmes idesë së pasionit që tashmë është një biznes, Genta dëshiron të rikthejë traditën e lundrimit në Shqipëri.

Sipas saj, në studimet historike në shkollë pjesa e detarisë është minimale. Ajo e sheh këtë problem të madh.

“Tradita shqiptare e lundrimit nuk daton tek Ilirët me anijet Liburne, por pjesa jugore e Shqipërisë ka lundruar edhe më parë. Ka qenë terren i vështirë mes malesh dhe kanë lundruar me kosha, traditë që Kina dhe Japonia e shesin si të tyren sot. Ne kemi patur flotën detare Teuta, flotë detare në kohën e Zogut. Kemi patur flotën edhe gjatë kohës së diktaturës.Kemi patur inxhinierë e specialisë të zotë e anije shumë të mira. Dy anije të ndërtuara në Shqipëri, përdoren sot nga grekët për transport mallrash. Kthimi në traditë duhet. Bota moderrne ecën përpara, por mund të bashkëjetojë shumë mirë edhe me traditën.”

Varkat që prodhon Genta variojnë nga 130 mijë lekë e cila është një varkë e vogël familjare 35 kg që mund të mbajë deri në 200 kg. Ndërsa skafi klasik kushton 15 mijë euro.

Ajo thotë se shitjet janë minimale, “por ne do të përpiqemi si fillim të nxisim dhe shpërndajmë kulturën e lundrimit.”

“ Kemi kërkesa nga prindër për të mësuar fëmijët lundrimin. Kjo na jep shpresë në dëshirën tonë për të hapur shkollën. Po punojmë fort për të rritur flotën. Duam të shtojmë numrin e varkave. Duam të konsolidohemi në të gjithë aspektet. Pse Shqipëria të mos ketë përfaqësi në sportin e regatave jashtë? Ne këtë synojmë, të përgatisim një ekip që të përfaqësojnë Shqipërinë në garat e lundrimit.”- thotë Genta.

Ekipi 'Life on boat'

Njëkohësisht ajo po punon për ngritjen e muzeut naval të parë e të vetëm në Shqipëri edhe pse një ndërmarrje e tillë kërkon investim të madh. “Ne jemi mësuar që me muze të kuptojmë një muze të vdekur;  të shohim fotografi e të lexojmë. Ne synojmë që përveçse njerëzit të lexojnë historinë e lundrimit shqiptar , të shohin varkat e kohës, shqiptare dhe të huaja që kanë bërë histori botërore. Ky muze do të shërbente si një prezantim i historisë së detarisë për publikun. Prodhimi i varkave pranë muzeut do ta bënte më të prekshëm prej njerëzve. Përveçse ata do të shihnin, do të provonin vetë të merrnin pjesë në ndërtimin e varkave.  Mbi idenë e muzeut jam konsultuar me një grup arkeologësh të huaj, kryesuar nga Jasna Vilic,  të cilët po e detajojnë në mënyrë profesionale këtë pjesë të projektit. Ky është muzeu ideal i detarisë për mua.”-sqaron Genta.

Ajo nuk mendon se e konkuron kush në tregun e brendshëm. Është në dijeni se ka disa kompani që ndërtojnë varka plastike, por është një profil krejt tjetër nga i saji.

Sipas Gentës, biznesi që ajo drejton është shumëdimensional sepse ka për mision kulturimin, rizgjimin e traditës dhe  edukimin e një sporti.

Udhëtimi ynë i përbashkët përfundoi në gati një orë, por i Gentës sapo ka nisur. Për pak kohë thotë , do të shihemi në inagurimin e muzeut…

Sabina Veizaj


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë