Menaxhim

Investime dhe shërbime të papaguara/ Kavaja, Pogradeci dhe Vora bashkitë me borxhet më të larta

Nga Gazeta ‘SI’ – Financat e pushtetit vendor janë përmirësuar lehtë, por detyrimet e bashkive mbeten ende të larta. Bashkitë e vendit i detyrohen bizneseve dhe qytetarëve rreth 2.9 mld lekë për vitin 2025, me një përmirësim prej 0.4 mld lekësh nga viti i shkuar.

Kavaja, që prej vitesh gjendet në vështirësi financiare për shkak të borxheve në rritje, kryeson listën me 755 mln lekë detyrime. Borxhet për bashkinë Kavajë janë rritur me 15 milionë lekë nga 2024-a. Bashkia Pogradec mban vendin e dytë me 220 mln lekë detyrime, por borxhet e saj janë ulur. Vendin e tretë e zë Vora me një rritje detyrimesh prej 30 mln lekësh, në total 184 milionë.

Ndërkohë vërehet një stabilizim i situatës financiare të bashkisë së Tiranës, e cila raporton vetëm 130 mln lekë detyrime, nga 570 mln një vit më parë.

Ministria e Financave tregon se detyrimet e bashkive janë kryesisht investime publike të papaguara, 920 mln lekë, apo shërbime 577 mln lekë.

Për shkak të problematikave të vazhdueshme të bashkive me borxhet, qeveria vendosi të ndërhyjë vetë, me anë të një ligji.

Krerët e bashkive analizojnë situatën financiare të njësisë dhe ia raportojnë atë ministrisë,  bashkë me arsyet e vonesave. Në rast se ta bëjë vetëm me detyrime të vonuara, bashkitë do të marrin plan masash për ‘disiplinim buxhetor’ që nga mbledhja e taksave deri tek ulja e shpenzimeve.

Në rast se bëhet fjalë për një bashki me paaftësi paguese qeveria emëron atje një administrator për të nxjerrë nga situata bashkinë. Administratori bashkë me kryetarin e njësisë ka kohë 2 vite të rikuperojë financat e bashkisë.

Bashkitë mund të përdorin asetet vendore për të shlyer borxhet, por nuk mund të marrin borxhe të reja. Në çdo rast thotë ligji, duhet të sigurohet se pavarësisht borxhit, bashkitë janë ende në gjendje të kryejnë shërbimet minimale publike.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë